Tifozët ‘Dardanë’ me mesazh për futbollistët e Kosovës: Mos tregoni respekt të veçantë

Tifozët e kombëtares së Kosovës, Dardanët kanë dalë me një mesazh para ndeshjes së nesërme kundër Zvicrës.

Dardanët kanë kërkuar që të mos tregojnë “respekt të veçantë” për lojtarët e kombëtares së Zvicrës.

“Nesër kombëtarja dardane luan ndaj kombëtares helvetike në kuadër të ndeshjes së dytë miqësore që është në program në këtë grumbullim. Nuk kemi pse të tregojmë asnjë lloj respekti të veçantë për lojtarët zviceranë, andaj lusim lojtarët tonë që ta trajtojnë këtë ndeshje si çdo tjetër, me qëllim që të përgatitemi sa më mirë në kampanjën për ligën e kombeve” thuhet në mesazhin e Dardanëve.

Tifo-grupi Dardanët po ashtu kanë kërkuar “ruajtjen e dinjitetit dhe krenarisë”.

“Lojtarët që e ndjejnë veten njëmend shtetas kosovarë, do të luajnë me fanellën e Kosovës dhe këtu përfundon diskutimi. Dardanët distancohen nga lajthitjet tjera. Lusim që ta ruajmë dinjitetin dhe krenarinë tone” thuhet ndër të tjera në mesazhin e Dardanëve.