Analistët e futbollit tregojnë çfarë ndodh nëse Spanja nuk respekton simbolet e kombëtares së Kosovës
Federata e Futbollit e Spanjës i është referuar Kosovës si “territor i Kosovës”, duke paralajmëruar se trajneri i tyre Luis Enrique më 15 mars do të zbulojë listën për tri ndeshjet e këtij muaji.
Gazeta spanjolle “Marca” ka bërë të ditur se Ministria e Punëve të Jashtme e Spanjës ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për ndeshjen Spanjë – Kosovë.
Protokolli për këtë ndeshje pritet të jetë më i veçantë, sipas ‘Marcas’: Kosovës nuk do t’i referohet si shtet sovran kjo federatë, duke iu referuar kombëtares tonë si “territori i Kosovës”.
Po ashtu nuk do të shfaqet flamuri i Kosovës, pranë atij spanjoll, himni i Kosovës do të prezantohet si muzikë.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Federatës së Futbollit të Kosovës pas qëndrimit të Federatës Spanjolle.
“Kosova nuk do të bëjë asnjë lëshim – ne do të luajmë vetëm sipas kritereve dhe rregullave strikte të UEFA-s, me himn dhe flamur shtetëror, përndryshe ndeshja nuk do të zhvillohet”, thuhet në reagimin e FFK-së.
Spanja dhe Kosova do të takohen më 31 mars në stadiumin e Sevillës në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Katar 2022”.
KALLXO.com, ka kontaktuar analistët e futbollit Genc Sermaxhaj dhe Ajet Shoshollin, të cilët e kanë komentuar ngjarjen e sotme, duke treguar se si duhet të veprojë FFK-ja në këtë rast.
Genc Sermaxhaj thotë se Spanja do të pranojë në momentet e fundit që Kosova të luajë ndaj spanjollëve sikur të vinte Amerika.
“Me shumë gjasë Spanja do të pranojë në momentet e fundit që Kosova të luajë në Spanjë sikur të vinte kombëtarja e Amerikës. Në të kundërtën Kosova nuk duhet të pranojë asnjë formë tjetër jashtë rregullave të UEFA-s”, ka vlerësuar analisti i futbollit Genc Sermaxhaj për KALLXO.com.
Sermaxhaj potencon se krerët e FFK-së duhet t’ua bëjnë me dije spanjollëve se do të luajnë në Spanjë me të gjitha të drejtat e saja, në të kundërtën të dënohet Spanja.
“Krerët tanë nga FFK-ja duhet t’ia bëjnë të qartë spanjollëve se Kosova luan në Spanjë me të gjitha të drejtat e saja. Ndryshe, duhet të merret UEFA dhe FIFA me këto ngjarje. Nëse eventualisht Spanja nuk pranon të luajë, ndeshjen do ta humbasë dhe të dënohet. E për këtë spanjollët nuk kanë llogari, Kosova do të luajë me të gjitha drejtat e saj më 31 mars”, ka theksuar Sermaxhaj.
Ai po ashtu e ka cilësuar si të turpshëm këtë veprim nga Spanja.
“Ngjarje të tilla nga e kaluara nuk më kujtohen, por këtë që po e bën Spanja është e turpshme”, ka thënë Sermaxhaj.
Ish-trajneri i Kosovës dhe tani analist i futbollit, Ajet Shosholli, thoë se nëse nuk respektohen protokollet e UEFA-s nga Spanja ndeshja mund të mos luhet.
“Rregullat për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare janë shumë të qarta nga ana e UEFA-s. Mendoj që qëndrimi i FFK-së është i drejtë, pasi nëse nuk respektohen rregullat e parapara me protokollin e UEFA-s, ndeshja mund të mos luhet”, ka vlerësuar Ajet Shosholli për KALLXO.com.
Shosholli ka rikujtuar vendimin e UEFA-s që Kosova nuk mundet të luajë me Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën për shkak të situatës politike.
“UEFA e ka bërë të qartë me kohë se Kosova nuk mundet për momentin me i zhvillua ndeshjet me dy shtete, me Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën”, ka rikujtuar ai.
Ish-trajneri i disa skuadrave kosovare thotë se Spanja mund ta humbasë ndeshjen në tavolinë me rezultat zyrtar.
“Po mendoj që pasojat për Spanjën munden me qenë që spanjollët me e humb ndeshjen me rezultat zyrtar, vendim i cili kishte me qenë i logjikshëm, sepse kjo ndeshje është ndeshje sportive e jo politike, pasi dihet që UEFA nuk e mbështet përzierjen e politikës në sport, saktësisht në futboll”, ka vlerësuar Shosholi.
Ai ka thënë se nuk i kujtohet ndonjë rast i tillë në ndeshje ndërkombëtare.
“Nuk më kujtohet ndonjë rast i tillë që në ndonjë ndeshje ndërkombëtare nuk janë respektuar himni dhe flamuri kombëtar i shtetit tjetër”, ka thënë Shosholli.
Reagon FFK-ja: Në Spanjë luajmë me himn e flamur, përndryshe ndeshja nuk do të zhvillohet