Shteti Dëmton Buxhetin e Vet, Nuk e Mbledh Taksën Ujore

Hulumtimi i ekipit të emisionit “Drejtësia në Kosovë”, këtë të premtë, sjell reportazhin ekskluziv, se si Ministria e Mjedisit ka dështuar ta implementojë Ligjin për Ujërat.

Të gjeturat nga hulumtimi tregojnë se Ministria e Ambientit, ka toleruar për vite të tëra operatorët publikë dhe privatë t’i shfrytrëzojnë resurset ujore të Republikës së Kosovës dhe të mos paguajnë taksë për ujin e shfrytëzuar.

Ministri i Mjedisit, Dardan Gashi, dhe zyrtarët tjerë përgjegjës, e pranojnë se Ligji për Ujërat dhe Udhëzimi Administrativ 06/2006, i cili rregullon qështjen e pagesave për takësn ujore nuk janë respektuar.

Pse sipas ministrit Dardan Gashi, janë toleruar operatorët ekonomik të shfrytëzojnë ujin dhe të mos pagujanë fare taksën ujore, për çka i obligon Ligji?

Të gjeturat nga hulumtimi tregojnë se as për 158 lejet e lëshuara ujore nga Departamenti i Ujërave  i Ministrisë së Mjedisit nuk është mbledhur taksa ujore.

Poashtu, kjo ministri nuk e di fare se sa janë humbjet e shkaktuara për buxhetin e Kosovës nga mospagesa e takës ujore.

Shpërfillja e Ligjit për Ujërat nga zyrtarët e Ministrisë nuk përfundon këtu. Hulumtimi i ekipit të emisionit “Drejtësia në Kosovë”, sjell dëshmi se si kjo Ministri nuk ka as edhe një të dhënë të vetme se sa është numri i operatorëve ekonomik që operojnë pa leje ujore.

Të gjeturat tjera nga hulumtimi tregojnë se si kompanitë e ujësjellësve regjional në mënyrë të organizuar refuzojnë t`i përgjigjen Ministrisë së Mjedisit për ta paguar taksën ujore edhe pse Ligji i obligon që të paguajnë për ujin e shfrytëzuar.

Reportazhi sjell edhe fakte tjera mjaft shqetësuese, se si shumë kompani eksploatuese të rërës dhe zhavorit janë lejuar për vite të tëra të operojnë pa leje ujore dhe kjo nuk u është kërkuar nga akush.

Problem tjetër mjaft shqetësues është edhe fakti se Ministria e Ambientit nuk e di fare se sa operatorë ekonomikë shkarkojnë ujëra dhe nuk paguajnë fare taksën për shkarkim.

Reportazhi do të transmetohet sonte në emisionin “Drejtësia në Kosovë” në RTK prej orës 22:00.