Shqiprim Arifi, kryetar i Preshevës. Foto: Facebook

Shqiprim Arifi: Shkëmbimi i Territorit Kosovë-Serbi do ta Destabilizonte Ballkanin

Kryekomunari i Preshevës, Shqiprim Arifi tha se një propozim nga anëtari i Kongresit Amerikan, Dana Rohrabacher për “një shkëmbim të territoreve” mes Serbisë dhe Kosovës do të dëmtonte stabilitetin rajonal dhe shkonte kundër politikës së BE-së.

Arifi i tha BIRN në një intervistë se shkëmbime të tilla nuk ishin politika zyrtare amerikane dhe në këtë kontekst, ideja ishte “thjesht një opinion, as më shumë e as më pak”.

Gazeta serbe Blic publikoi një artikull të hënën ku thuhej se kongresmeni republikan Rohrabacher, gjithashtu kryetar i nënkomitetit të çështjeve të jashtme për Europën, Euroazinë dhe Kërcënimet, ka dërguar një propozim në letër për presidentin serb Tomislav Nikoliq.

Letra propozonte “një shkëmbim të territoreve” në Serbinë jugore për ato në Kosovën veriore “si zgjidhje që do të lehtësonte tensionet në këtë pjesë të Ballkanit”.

Disa politikanë në Kosovë janë dakord. Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK, Lutfi Haziri, të premten tha se mënyra më e mirë për të zgjidhur mosmarrëveshjen me Serbinë ishte përmes shkëmbimit të territoreve dhe kthimit të kufijve të vjetër jugosllav të 1956, të cilat ishin më të bazuara në kritere demografike.

“Ne duhet t’i kthehemi kufijve bazuar në kritere demografike, sepse gjatë viteve 1950 Serbia i kishte vënë kufijtë bazuar në këtë parim. Përse nuk munden shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës t’i bashkohen shtetit të tyre, duke qenë se i përkisnin Kosovës në vitet 1950?” pyeti Haziri në Klan Kosova TV.

Por kryekomunari i Preshevës tha se kishte frikë se ideja vetëm sa do të sillte destabilitet në rajon.

“Jam i interesuar në stabilizimin e rajonit dhe në këtë kontekst duhet të kuptojmë se çdo lëvizje e kufijve apo territoreve vetëm sa do sillte një lëvizje më të madhe dhe pastaj lëvizje tjetër dhe gjërat do të vazhdonin si zinxhir. Ne nuk e duam këtë. Politika jonë është politika e BE-së, që nuk mbështet ndryshimin e kufijve,” shpjegoi ai.

Arifi tha se ecja përpara drejt procesit të integrimit të të gjithë rajonit në BE, ishte një ide e mirë.

“Nëse e përshpejtojmë këtë, kjo do të ishte… zgjidhja për të gjithë rajonin. Nuk ka një zgjidhje të pjesshme vetëm për shqiptarët në Serbinë e jugut apo serbët në veriun e Kosovës, apo për serbët në Bosnje,” tha ai.

“Anëtarësia në BE është… jetesë në paqe dhe stabilitet. Çdo zgjidhje e propozuar që mund të destabilizojë [rajonin] nuk është një propozim i mirë, nuk ndihmon dhe sa do të destabilizonte procesin dhe rajonin”, tha Arifi.

I pyetur nëse Kosova po përdorte fushatat politike në Serbi, kryebashkiku tha se ishte e rëndësishme të kujtohej se Serbia ishte drejtuar për në zgjedhje presidenciale.

“Duhet të kuptojmë se politikanët dhe politika po kërkon për tema dhe se Kosova mund të jetë një gjithashtu,” tha ai.

Shqiptarët përbëjnë 87.48 për qind të popullsisë në Preshevë, ndërsa serbët përbëjnë shumicën e popullsisë në disa komuna fqinje në veri të Kosovës, përfshirë gjysmën veriore të qytetit të Mitrovicës.