Agim Bahtiri - Foto: Facebook

Zotimi i Agim Bahtirit, 17 shkurtin tjetër e presim me Mitrovicën e bashkuar

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, me bashkëpunëtorët e tij ka vizituar tre fshatrat shqiptare të komunës së Leposaviqit.

Në 11 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Bahtiri ka vizituar fshatrat, Bistricë, Cerajë dhe Koshtovë.

Me këtë rast Bahtiri te varri i heroit Kadri Bistrica ka vendosur flamurin kombëtar dhe atë shtetëror.

“Po tek varri i Kadri Bistricës kemi vendosur flamurin kombëtar dhe shtetëror”, ka thënë Bahtiri për Kallxo.com.

Tutje gjatë ditës Bahtri ka postuar mesazhin nga kjo vizitë në Facebook

Postimi i plotë

Në 11 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, kujtojmë sakrificën shekullore të popullit të Kosovës për liri, e cila u kurorëzua më 17 Shkurt 2008. Edhe pse kanë kaluar 11 vite nga ky akt historik, Kosova po përballet akoma me sfidat e shtet-ndërtimit, zhvillimit dhe integrimit europian.

Së bashku me drejtuesit e shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së dhe me zëvendësministrin e MMPH-së, Gjergj Beka, bëra nderime tek varrezat e dëshmorëve dhe vizitova fshatin e heroit Kadri Bistrica që administrohet nga komuna e Leposaviqit, mirëpo me bashkimin e qytetit të Mitrovicës të gjitha fshatrat përreth tij do të jenë pjesë e Mitrovicës dhe përvjetorin tjetër të Pavarësisë besoj se do ta festojmë në një komunë të vetme.

Në 11 vjetorin e Pavarësisë përkulemi para dëshmorëve dhe gjithë atyre që kontribuuan për Kosovën e pavarur, në mënyrë të veçantë falënderojmë shtetin mik të Republikës së Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me mirënjohjen e përjetshme për ndihmën e saj drejt shtetit tonë, duke garantuar se miqësia Kosovë -SHBA do të jetë e përjetshme.