Zhduket në Lumbardh një 16-Vjeç

Një fëmijë nga Llabjani i Pejës po kërkohet nga Policia dhe zhytësit e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) pasi që dje rreth mesditës ka rrëshqitur në një pellg të lumit Lumbardh (ish-Bistrica), në fshatin Gllaviqicë dhe nuk është parë më.

Policia Rajonale e Pejës bënë të ditur së viktima që ka rënë në lumë është është 16-vjeçi H.B. nga fshati Llabjan.

Sipas dëshmitarëve të cituar nga Policia, fëmija ishte futur në lumë për ta nxjerrë një top dhe më nuk ka mundur të dilte.

“Njësitë policore menjëherë kanë shkuar në atë lokacion dhe kanë kontaktuar me dëshmitarët e rastit, të cilët informojnë deri sa kanë qenë të tre së bashku duke shëtitur afër lumit Lumbardh kanë vërejtur një top në lumë dhe viktima ishte afruar buzë pellgut të mbushur me ujë, është futur në lumë, në atë pellg për të marrë topin dhe më s’ka qenë në gjendje të dalë nga uji”, njofton Policia.

“Dëshmitarët fëmijë të mitur kanë thënë se janë munduar t’i dalin në ndihmë por ishte e pamundur t’i afrohej ndihma nga ana e tyre dhe viktima nga ai moment më nuk ka dalë sipër ujit. Sipas tyre është fundosur”, thuhet, po ashtu, në njoftimin e Policisë.

Ekipet e shpëtimit janë duke e kërkuar trupin e të miturit nga momenti që është dhënë lajmi se ai ka rënë në lumë. Këtë e bëri të ditur për KALLXO.com togeri i FSK-së Agron Murati, i cili tha zhytësit dhe ekipet e tjera nga dje janë duke kërkuar trupin e viktimës.

“Dje ka ardhur informata dhe urdhri që ka humbur një fëmijë. Në momentin që kemi marr jemi nisur dhe kemi arritur përafërsisht rreth orës 16:00. Kemi vazhduar me operacion deri sa ka qenë ditë për shkak se procedurat i kemi që gjatë natës nuk mundemi të vazhdojmë me zhytje. Kemi bërë kërkime, por për fat jo të mirë nuk kemi arritur ta gjejmë fëmijën në vendin ku dyshohet se ka rënë. Gjithashtu kemi bërë edhe zhytje në të njëjtin vend, nuk kemi hasur në personin e humbur”, tha togeri i FSK-se për KALLXO.com

“Të ura e Grabanicës kemi vendosur rrjeta në mënyrë që nëse vjen personi në atë anë ta ndalë rrjeta. Sot kemi vazhduar prej orës 9:00 në mëngjes. Kemi ardhë prapë dy skuadra sikurse dje dhe jemi duke vazhduar me kërkim. Sot jemi duke bërë zhytje në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur rasti dhe kemi vazhduar me një ekip përgjatë lumit” tha ai.