Zoran Zaev - Foto: REL/Reuters

Zaev: Për shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi kam dëgjuar nga opinioni

Në numrat e telefonit prej të cilëve e kanë kontaktuar komedianët rusë, edhe vetë Zaevi u ka telefonuar Poroshenkos dhe Stoltenbergut, i bindur se edhe kësaj here bisedon me ta.

Edhe pse bisedat janë bërë vitin e kaluar, Zaev tha se e ka kuptuar se është viktimë e një kurthi këto ditë pas publikimit të audio incizimeve. Ai tha se në komunikimin me ta u ka dërguar edhe fotografi.

“Në atë kohë unë besoja se kam komunikim, siç mora fotografi nga Parada e ushtrisë në Ukrainë nga i ashtuquajturi ose presidenti i rrejshëm Poroshenko. Unë kam dërguar fotografi edhe nga Merkeli nga vizita etj. Nuk e di saktë sa zgjati komunikimi”, theksoi kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.

Ai tha se përgjegjësi  nuk do të kërkojë prej askujt dhe se do të vazhdojë të komunikojë në të njëjtën mënyrë pa protokoll qeveritar. Në lidhje me detajet e zbuluara në incizime, se 10 komuna nga pjesa veriore e Kosovës dhe disa pjesë e Serbisë do të jenë pjesë e shkëmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës, Zaev tha se këto nuk janë detaje që dikush ia ka thënë atij, por se këto janë informacione që i ka dëgjuar nga opinioni publik.

“Askush nuk më ka dhënë informacione as nga Kosova as nga Serbia, sepse kjo është çështje bilaterale.  Ne kemi qenë këtu si miq, të inkurajojmë që të gjendet zgjidhje, duam të ketë zgjidhje për problemet, Evropa e definoi çështjen mes RMV dhe Greqisë, çështjen e Kosovës dhe problemin që e ka Bosnja dhe Hercegovina në lidhje me rregullimin kushtetues . Çështja e parë është zgjidhur, e dyta – të gjithë ne ndihmojmë, inkurajojmë”, potencoi Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha në profilin e tij në Facebook shkroi se Zaev me këtë incizim e ka zbuluar planin e fshehtë për ndryshimin e kufijve.

“Në bisedë e sipër Zaev duke menduar se po fliste me Poroshenkon, ka deklaruar se për idenë e ndryshimit të kufijve Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç kanë rënë dakord, por kjo mund të shkaktojë një luftë të re në Ballkan dhe se kancelarja Merkel është totalisht kundër idesë. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev zbardh planin sekret për ndryshimin e kufijve të Kosovës duke thënë se mbrapa këtyre qëllimeve qëndrojnë interesat e Rusisë dhe Turqisë”, shkruan ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.

Ministrja e mbrojtjes Radmilla Sheqerinska tha se këto biseda nuk janë rrezik për sigurinë, por se do të duhet të ndryshohet kultura e sigurisë për shkak se në të ardhmen mund të priten kërcënime hibride, sulme cyber etj, me qëllim të cenohet plani ynë drejt NATO-s.

“Është pak e çuditshme të parashtrohet pyetja se si kanë arritur ta bëjnë këtë, madje nga  Aleanca duke i përfshirë edhe shtetet më të fuqishme. Së pari, truqe dhe kërcënimet e këtilla do të vazhdojnë, së dyti – me këtë sulm cyber nuk është rrezikuar siguria”, deklaroi ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.

Pas kërkesës së djeshme të liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski për zgjedhje të parakohshme parlamentare edhe sot partia opozitare kërkoi dorëheqje nga Zaevi.

“Arsyetimi për zbulimin e sekreteve shtetërore në mënyrë skandaloze, informacioneve nga takime në nivel të lartë dhe pranimi që t’i japin ryshfet patriarkut të kishës ortodokse, tregon se sa i paaftë është ekipi i Zaevit. Nëse Zaevi ka qenë cak i shërbimeve që punojnë kundër vlerave perëndimore dhe të NATO-s, sjellja e tij tregon se ai dhe qeveria nuk kanë kapacitet të jenë partnerë të plotfuqishëm në Aleancën, trupat dhe bashkësitë drejt të cilëve synon Republika e Maqedonisë”, tha Igor Janushev nga VMRO-DPMNE.

Pak pas kësaj, Zaev u përgjigj se mbetet në mendimin e djeshëm, se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme./21Media

.