Sami Kurteshi, VV, Gjilan. Foto: Kallxo.com

Xhavit Haliti e Sami Kurteshi polemizojnë për heqjen e mëditjes së deputetëve

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Halit dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, kanë polemizuar mes vete në seancën parlamentare. Kjo situatë erdhi pasi që nënkryetari Haliti ia ndërpreu fjalën deputetit Kurteshi derisa ai ishte duke thënë se  “Pak më herët ju deklaruar që ata që nuk vijnë në orën 15: 30 për votim do të kërkoni nga sekretaria të ndërmarrin masa”.

Kjo deklaratë iu dukë nënkryetarit Haliti, si diskutim jashtë rendit të ditës.

“Ndalja fjalën, është jashtë rendit të ditës”, tha Haliti ku pas kësaj filluar polemikat derisa deputeti i VV-së, Sami Kurteshi pohonte se po i shkelej e drejta e tij elementare.

“Jo jo mos na trego të drejtat e njeriut. Hajt pash Zotin se nuk kemi nge me të dëgju ty. Nuk kemi kohë me i dëgju përrallat e tua. Sami shko ankohu në Gjykatën Kushtetuese. Unë e interpretojë rregullore ti nuk e interpreton. Rri qaty. Nuk je më Ombudsperson këtu me më mbrojt, rri qaty”, deklaroi Haliti.

Por reagimi i deputetit Kurteshi vazhdonte duke insistuar se ai nuk ka kurrfarë të drejte në Kuvendin e Kosovës.

“Kurrfarë të drejte nuk kam. Unë si deputet nuk kam kurrfarë të drejte tani”, tha Kurteshi.

E konflikti verbal vazhdoi deri në atë pikë sa që nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti i tha “A po don me të qit jashtë” derisa deputeti i Kurteshi iu përgjigj se “Po mundesh me më qit jashtë vetëm nëse e kam thy rregulloren”.

Diskutimi u ndërpre në kohën kur nënkryetari Haliti kërkoi të shqyrtohet Raporti i Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, në lidhje me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për shërbime sociale dhe familjare dhe Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për shërbime sociale dhe familjare.