Ish-kryetari i Komunës sç Kaçanikut, Xhabir Zharku

Xhabir Zharku mund të kthehet në maj

Xhabir Zharku përkundër se dënimi i ishte bërë i plotfuqishëm nuk ka shkuar asnjëherë në vuajtje të dënimit, ndërsa në media u raportua se gjendet në një vend skandinav.

Në maj të këtij viti Zharku mund të kthehet në Kosovë e dënimi ndaj tij nuk do të mund të ekzekutohet më.

Më 21 prill 2011, Gjykata e Qarkut në Prishtinë e kishte shpallur Xhabir Zharkun fajtor për kryerjen e veprave  penale të  detyrimit dhe posedimit të paligjshëm të armës. Ai ishte dënuar me tre vjet burgim dhe i ishte shqiptuar gjoba prej 1,500 euro.

Çështja kishte të bënte me një rast të vitit 2006, kur ishte privatizuar nga AKM-ja një fermë e deleve në fshatin Rakaj të Ferizajt. Sipas Prokurorisë, të dëmtuarit në këtë rast, Xhelil dhe Emrush Suma, kishin qenë fitues të tenderit si ofertues të parë. Mirëpo, pas kërcënimeve nga të akuzuarit në fjalë, fituesit ishin detyruar të tërhiqen për ta fituar atë tani i dënuari Arsim Kolshi, i cili kishte qenë ofertuesi i dytë.

Vendimi i shqiptuar ndaj Zharkut u vërtetua nga Gjykata Supreme e Kosovës më 8 maj 2012. Ndonëse kanë kaluar 5 vjet qëkur ky dënim mori formën e prerë, Zharku nuk ka shkuar në vuajtje të dënimit. Ai është larguar nga Kosova ndërsa nëpër media u raportua disa herë se  Zharku po qëndron në Suedi.

Konfirmohet Dënimi Ndaj Zharkut, Kaçaniku në Zgjedhje

Megjithatë, Zharkut nuk do t’i duhet të qëndrojë edhe shumë kohë jashtë Kosovës pasi që sipas një dispozite të Kodit Penal të Kosovës, ai mund të kthehet në Kosovë në maj të vitit të ardhshëm, atëherë kur ekzekutimi i dënimit ndaj tij të ketë arritur parashkrimin absolut.

Neni 108 i Kodit Penal të Kosovës ka paraparë afatet e parashkrimit të ekzekutimit të dënimit e pika 1.5 e paragrafit 1 të këtij neni parasheh se “dënimi nuk mund të ekzekutohet kur kanë kaluar 3 vjet nga dënimi me burgim me mbi 1 vit”, ndërsa pika paraprake ajo 1.4 parasheh se “dënimi nuk mund të ekzekutohet kur kanë kaluar 5 vjet nga dënimi me mbi 3 vjet burg”.

Ndonëse Kodi  Penal i Kosovës që hyri në fuqi në vitin 2013, në paragrafin 2 të nenit 108, si risi nga Kodi i Përkohshëm Penal, parasheh se “Parashkrimi i ekzekutimit të dënimeve ndërpritet kur personi i dënuar nuk paraqitet ose nuk dorëzohet për mbajtjen e dënimit me burgim”, megjithatë, kjo nuk e pengon parashkrimin absolut sic njihet në drejtësi.

Parashkrimi absolut parashihet në nenin 110 të Kodit Penal të Kosovës më saktë në paragrafin 6 të këtij neni, “ Ekzekutimi i dënimit ndalohet në çdo rast kur të ketë kaluar dyfishi i kohës së afatit të parashkrimit”.

Në rastin e Zharkut, dënimi ishte me 3 vjet burg, ndërsa ishte bërë i formës së prerë në maj të vitit 2012. Kjo do të thotë se në vitin 2018 kur të kenë kaluar 6 vite, apo dyfishi i afatit të parashkrimit të ekzekutimit të dënimit, Zharku do të mund të kthehet në Kosovë ndërsa dënimi ndaj tij të mos ekzekutohet.

Xhabir Zharku nuk shkon në vuajtje të dënimit

Shpjegim lidhur me këtë situatë juridike, jepet edhe në Komentarin e Kodit Penal të Kosovës, të botuar nga GIZ.

Në faqen 340 të këtij komentari, në pjesën e komentuar nga profesori i njohur i të drejtës penale, Ismet Salihu, duke komentuar paragrafin 6 të nenit 110 të Kodit Penal të Kosovës thuhet se kur kalon dyfishi i afatit duhet të ndërpritet çdo veprim.

“Parashkrimi i ekzekutimit të dënimit paraqitet në çdo rast kur të kalojë dyfishi i kohës që kërkohet sipas ligjit për parashkrimin e ekzekutimit të dënimit, pa marrë parasysh sa ndalje dhe ndërprerje kanë qenë dhe pa marrë parasysh kohëzgjatjen e tyre”, thuhet në Komentarin e Kodit Penal të Kosovës.

KALLXO.com lidhur me këtë rast ka kontaktuar përmes telefonit edhe me avokatin Tahir Rrecaj që kishte ndërmarr disa veprime në çështjen e Zharkut.

Edhe avokati Rrecaj tha se Zharku mund të kthehet në Kosovë pas parashkrimit absolut dhe lidhur me veprën për të cilën ishte dënuar të mos merret asnjë veprim ndaj tij.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar lidhur me ecurinë e këtij procesi gjyqësor ndërsa raportimet mund t’i gjeni në këtë link.

Zharku Jep Dorëheqje, Akuzon EULEX-in