Arkiv - Foto: Kallxo.com

Ndalohet një dëshmitar në seancën kundër Xhabir Zharkut

Me urdhër të prokurorit Rasim Maloku është ndaluar një dëshmitar në lidhje me rastin e Xhabir Zharkut, ku i njëjti po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Gentiana Hoxha, zëdhënëse për media në gjykatën e Ferizajt.

“Nga zyra e gjyqtarit të çështjes, më konfirmuan se Prokurori i Shtetit ka urdhëruar të ndaloj dëshmitarin në rastin e Xh.Zh.”- tha për KALLXO.com Hoxha.

Xhabir Zharku, ish-kryetar i komunës se Kaçanikut, në Gjykatën e Ferizajt është duke u përballur me aktakuzën e Prokurorisë e cila atë e ngarkon me dy vepra penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Aktakuza kundër ish-kryetarit të Kaçanikut ishte ngritur në tetor të vitit 2020 nga Prokuroria në Ferizaj.

Zharku kishte qëndruar në paraburgim nga 15 dhjetori i vitit 2019 deri në qershor të vitit 2020 kur ishe liruar me dorëzani.

Për lirimin nga paraburgimi, Zharkut i ishte dashur që si dorëzani të paguajë shumën në vlerë prej 100 mijë eurove.

Sipas Prokurorisë, Xhabir Zharku në tetor të vitit 2008 dhe shkurt të vitit 2010 në Kaçanik, si person zyrtar, përkatësisht kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore dhe shkaktimit të dëmit të Komunës së Kaçanikut, ka shpërdoruar pozitën e tij zyrtare, në atë mënyrë që ka lejuar ndërtimin e një objektit për banim kolektiv dhe lokale afariste e cila ka qenë pronë e komunës dhe të njëjtën ia ka dhënë në shfrytëzim të përhershëm kompanisë “Çlirimtari”.

Tutje ai akuzohet për shkak se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm ka shpërdoruar pozitën e tij zyrtare në atë mënyrë që pas përfundimit të një çështje gjyqësore në Gjykatën e Kaçanikut kishte urdhëruar avokaten e Komunës që mos të parashtroj ankesë ndaj vendimit të Gjykatës, duke i mundësuar përfitim pasuror në atë kohë paditësit – Kompanisë “Bardhi”.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast