Konfirmohet Dënimi Ndaj Zharkut, Kaçaniku në Zgjedhje

Lajmin për Gazetën Jeta në Kosovë e ka konfirmuar mbrojtësi i Xhabir Zharkut.

Sipas Ligjit për Zgjedhje, Zharku tani duhet të tërhiqet nga funksioni dhe në Komunën e Kaçanikut të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Gjykata e Qarkut në Prishtinë, në prill të vitit të kaluar, kishte shpallur fajtor kryetarin e komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharkun, dhe tre persona të tjerë për veprat penale “detyrim” dhe “armëmbajtje pa leje”.

Zharkut i ishte shqiptuar dënim më burg prej 3 vjet burg dhe dënim më gjobë prej 1500 euro për veprat e përmendura më lart.

Të njëjtin dënim, Gjykata kishte shqiptuar edhe për të akuzuarin tjetër Arsim Kolshi, ndërsa të akuzuarit Besnik Hasani dhe Nysret Cena, i kishte dënuar me nga një vit e dy muaj, për veprën penale të detyrimit.

Edhe pse të gjithë ishin ankuar ndaj këtij aktgjykimi, Gjykata Supreme e Kosovës ka hedhur poshtë të gjitha ankesat, përveç asaj të mbrojtësit të Xhabir Zharkut, që kishte të bënte me ditët e qëndrimit në paraburgim.

Çështja kishte të bënte me një rast të vitit 2006, kur ishte privatizuar nga AKM-ja një fermë e deleve në fshatin Rrakaj të Ferizajt. Të dëmtuarit në këtë rast, Xhelil dhe Emrush Suma, kishin qenë fitues të tenderit si ofertues të parë. Mirëpo, pas kërcënimeve nga të akuzuarit në fjalë, fituesit ishin detyruar të tërhiqen, për ta fituar atë, tani i dënuari Arsim Kolshi, i cili kishte qenë ofertuesi i dytë.

Prokurorja e EULEX-it, Maria Bamieh, fillimisht kishte akuzuar shtatë persona për veprat “Kërcënim”, “Detyrim” dhe “Armëmbajtje pa leje”, mirëpo vepra e kërcënimit kishte rënë. Ndërsa nga provat ishte vërtetuar se veprat penale “Detyrimi” dhe “Armëmbajtje pa leje”, janë kryer nga Xhabir Zharku, Arsim Kolshi, Besnik Hasani dhe Nysret Cena.

“Jam e gëzuar që drejtësia është vënë në vend”, i tha gazetës nëpërmes telefonit, prokurorja Bamieh.