Arkiv - Xhabir Zharku

Vendimi i Apelit lidhur me aktgjykimin lirues të Gjykatës së Ferizajt për Xhabir Zharkun

Gjykata e Apelit ka marrë vendim me të cilin e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës së Ferizajit më të cilin Xhabir Zharku ishte liruar nga akuzat.

“Refuzohet si e pa bazuar ankesa e prokurorisë themelore të Ferizajit, ndërsa akgjykimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj i datës 16.01.2023, Vërtetohet”- thuhet në vendimin e Apelit.

Vendimi është marrë nga Afërdita Bytyçi – kryetare e kolegjit, Bashkim Hyseni dhe Valon Durguti- anëtarë në prill të këtij viti.

Kundër aktgjykimit lirues të Themelores kishte paraqitur ankesë Prokuroria duke mos cekur bazat ankimore.

Prokuroria në ankesë kishte kërkuar nga Apeli që aktgjykimi lirues të ndryshohet dhe Zharku të dënohet për dy veprat penale – shpërdorim i pozitës, dhe – keqpërdorim i pozitës zyrtare.

Kundër kësaj ankese të Prokurorisë është përgjigjur mbrojtësja e Zharkut, Albana Kelmendi, duke kërkuar që kjo ankesë të refuzohet si e pabazuar.

Prokuroria në ankesë ka theksuar se rikualifikimi  i veprës penale i bërë nga Gjykata për veprën penale – shpërdorim i pozitës zyrtare në – keqpërdorim të pozitës zyrtare, me Kodin Penal i cili ka qenë në fuqi në kohën 2013-2019, është zbatuar gabimisht. Pasi ky Ligj nuk ka qenë në fuqi në kohën kur është kryer vepra penale, as në kohën kur janë ndërmarrë veprimet hetimore.

Sipas gjetjeve të Apelit, vendimi i Gjykatës së Ferizajit, nuk është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale e as shkelje të tjera të cilat sipas detyrës zyrtare kujdeset kjo Gjykatë.

Sa i përket rikualifikimit, Apeli ka konstatuar se rikualifikimi i veprës nga – shpërdorim i pozitës zyrtare në – keqpërdorim të detyrës zyrtare, është aplikuar drejt, pasi është aplikuar ligji më i favorshëm.

“Mbi gjendjen e fakteve të konstatuara Gjykata e shkallës së parë drejt e ka zbatuar edhe ligjin penal kur ndaj  të pandehurit ka bërë ricilësimin e veprave penale nga vepra penale shpërdorim i pozitës zyrtare në veprën penale keqpërdorim i pozitës zyrtare, në këtë rast duke zbatuar ligjin më të favorshëm për të akuzuarin me ç’rast ka gjetur se ka kaluar afati i parashkrimit absolut i ndjekjes penale”- thuhet në vendimin e Apelit.

Xhabir Zharku, ish-kryetar i Kaçanikut, ishte liruar nga akuza nga Gjykata në Ferizaj për veprat që i viheshin në barrë në janar të këtij viti.

Pas vlerësimit dhe analizimit të provave në fund Gjykata kishte bërë ricilësimin e veprave penale.

Në këtë rast trupi gjykues kishte vlerësuar se nuk bëhet fjalë për kualifikim sipas dispozitave të Kodit Penal të përkohshëm, sepse sipas aktakuzës veprat penale janë kryer gjatë vitit 2009-2010.

Dhe në momentin që është bërë ricilësimi i veprave penale nga ana e Gjykatës këto vepra penale para ngritjes së aktakuzës nga ana e prokurorit janë parashkruar.

Pra bëhej fjalë për parashkrim absolut të veprave penale e jo parashkrim relativ.

Mjetet monetare që janë dhënë nga i akuzuari në formë të dorëzanisë do t`i kthehen të pandehurit posa aktgjykimi të marrë formën e prerë.

Aktakuza kundër tij ishte ngritur në tetor të vitit 2020 nga Prokuroria e Ferizajt.

Xhabir Zharku kishte qëndruar në paraburgim nga 15 dhjetori i vitit 2019 deri në qershor të vitit 2020, kur ishte liruar me dorëzani.

Për lirimin nga paraburgimi, Zharkut i ishte dashur që si dorëzani të paguajë shumën 100 mijë euro.

Sipas Prokurorisë, Xhabir Zharku në tetor të vitit 2008 dhe shkurt të vitit 2010 në Kaçanik, si person zyrtar, përkatësisht kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore dhe shkaktimit të dëmit Komunës së Kaçanikut, kishte shpërdoruar pozitën e tij zyrtare.

I njëjti kishte vepruar në atë mënyrë që kishte lejuar ndërtimin e një objektit për banim kolektiv dhe lokale afariste në një pronë e cila ka qenë pronë e Komunës dhe të njëjtën ia kishte dhënë në shfrytëzim të përhershëm kompanisë “Çlirimtari”.

Tutje në pikën dy të aktakuzës ai akuzohet për shkak se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm ka shpërdoruar pozitën e tij zyrtare në atë mënyrë që pas përfundimit të një çështjeje gjyqësore në Gjykatën e Kaçanikut kishte urdhëruar avokaten e Komunës që mos të parashtrojë ankesë ndaj vendimit të Gjykatës.

Me këtë veprim i njëjti i kishte mundësuar përfitim pasuror në atë kohë paditësit – kompanisë “Bardhi”.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast. Raportet mund t’i gjeni në këtë LINK