Arkiv - Foto: Kallxo.com

Gjykimi ndaj Xhabir Zharkut, gjykata sot pritet të vendos

Në gjykatën e Ferizajt sot pritet të merret vendimi gjyqësor lidhur me akuzat që rëndojnë mbi ish kryetarin e Kaçanikut, Xhabir Zharkun.

Xhabir Zharku, ish-kryetar i komunës se Kaçanikut, në Gjykatën e Ferizajt është duke u përballur me aktakuzën e Prokurorisë e cila atë e ngarkon me dy vepra penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Zharku ishte arrestuar më 14 dhjetor të vitit 2019 në Aeroportin e Prishtinës në përpjekje për t’u larguar nga Kosova.

Aktakuza kundër ish-kryetarit të Kaçanikut ishte ngritur në tetor të vitit 2020 nga Prokuroria në Ferizaj.

I njëjti kishte qëndruar në paraburgim nga 15 dhjetori i vitit 2019 deri në qershor të vitit 2020 kur ishe liruar me dorëzani.

Për lirimin nga paraburgimi, Zharkut i ishte dashur që si dorëzani të paguajë shumën në vlerë prej 100 mijë eurove.

Sipas Prokurorisë, Xhabir Zharku në tetor të vitit 2008 dhe shkurt të vitit 2010 në Kaçanik, si person zyrtar, përkatësisht kryetar i Komunës së Kaçanikut, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore dhe shkaktimit të dëmit të Komunës së Kaçanikut, kishte shpërdoruar pozitën e tij zyrtare.

I njëjti kishte vepruar në atë mënyrë që kishte lejuar ndërtimin e një objektit për banim kolektiv dhe lokale afariste e cila ka qenë pronë e komunës dhe të njëjtën ia kishte dhënë në shfrytëzim të përhershëm kompanisë “Çlirimtari”.

Tutje në pikën dy të aktakuzës ai akuzohet për shkak se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm ka shpërdoruar pozitën e tij zyrtare në atë mënyrë që pas përfundimit të një çështje gjyqësore në Gjykatën e Kaçanikut kishte urdhëruar avokaten e Komunës që mos të parashtroj ankesë ndaj vendimit të Gjykatës.

Me këtë veprim I njëjti I kishte mundësuar përfitim pasuror në atë kohë paditësit – Kompanisë “Bardhi”.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast – LINK