VV: Thaçi mendon që arrihet marrëveshja me Serbinë pa i përmend krimet e luftës

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë homazhe më rastin e 20 vjetorit të masakrës së Poklekut, ku u vranë e më pas u dogjën 57 shqiptarë civil nga forcat serbe.

Kështu është bërë e ditur përmes një postimi në ‘Facebook’ të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Prej foshnjës gjashtëmuajshe e deri te plaku 75 vjeçar, shqiptarët civil të paarmatosur të Poklekut të Vjetër në komunën e Drenasit nuk u kursyen nga forcat serbe. Familjet Muqolli, Caraku e Elshani që provuan të largohen nga fshati në drejtim të Drenasit, u detyruan nën kërcënimin e tytave të armëve të forcave serbe të kthehen nëpër shtëpitë e tyre, ku qëndruan për një ditë të plotë të mbyllur nën ankth nga terrori i forcave serbe që edhe hynë nëpër këto shtëpi rreth orës 17:30 për të kryer një ndër masakrat më të tmerrshme. Mbi trupat e 54 civilëve të paarmatosur, nga foshnja gjashtë muajsh e deri tek plaku 75 vjeç, u hodhën granata e u zbrazën 7 karikator të automatikut. Secili u kontrollua me këmbë se a ishte gjallë, e më pas edhe iu vu zjarri shtëpisë – pra u dogjën trupat e 54 shqiptarëve të masakruar”, thuhet në postimin e VV-së.

VV është shprehur se edhe 20 viteve ende nuk është vënë kurrfarë drejtësie për këtë krim e gjenocid të kryer nga Serbia.

Sipas tyre, presidenti dhe të tjerë, ende besojnë se mund të arrihet një marrëveshje përfundimtare me Serbinë duke mos i përmendur këto krime.