VV i Quan Dëshmorë Mon Balajn e Arben Xheladinin

“Tash po përballemi me pasojat e asaj çka ne nuk mundëm ta ndalim në vitin 2007. Ne nuk mundëm ta ndalim në vitin 2007 decentralizimin  e Planit të Ahtisarit por ky decentralizim sot po vjen dhe po shëndrrohet në ‘Zajednicë’. Ne nuk mundëm ta rregullonim atëherë papërgjegjsinë institucionale të qeveritarëve tanë po sot po na manifestohet dhe po na vjen çmimi përmes demarkacionit dhe humbjes së territoreve. Pra në fund kur ne ta kompletojmë përpjekjen tonë si komb, atëherë do ta kuptojmë madhështinë e vërtetë dhe sakrificën e Arben Xheladinit dhe Mon Balajt”, tha Konjufca.

Gjatë tërë ditës së sotme, drejtues të Vetëvendosjes bënë homazhe në mënyra të ndryshme për dy protestuesit e vrarë nga njësitet speciale të policisë së UNMIK-ut, dhjetë vjet më parë.

Balaj e Xheladini u vranë nga policia speciale rumune në kuadër të UNMIK-ut me plumba gome të cilët më vonë u vërtetuan se kishin afat të skaduar përdorimi.

Konjufca i quajti Mon Balajn dhe Arben Xheladinin “dëshmorë të së ardhmes” ndërsa tha se se porosinë e tyre “duhet ta çojmë në vend”.

“Këta janë dëshmorë të së ardhmes. Ajo për çka ata e kanë dhënë jetën na mbetet neve ta përfundojmë. Por do të përfundojë në të ardhmen, sepse nuk ka ardhë ende”, tha Konjufca.

homazhe balaj xheladini1

Konjufca u shpreh gjithashtu se Lëvizja Vetëvendosje asnjëherë nuk do ta harrojë sjelljen e pandershme të politikanëve në atë kohë.

“Pushteti politik në Kosovë atëherë në vend që të pozicionohej krah popullit të vet që kërkonte atë që është e nevojshme për kombin tonë ata atë ditë u fshehën gjysma, kurse gjysma e tyre fatkeqsisht dolën në mbrojtje të kësaj dhune të egër të policisë dhe UNMIK-ut. Ne nuk e harrojmë sjelljen e pandershme të këtyre politikanëve të këtyre politikanëve të këtyre qeveritarëve në atë kohë”, tha Konjufca.

Përveç vrasjes së Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, në këtë protestë ishin lënduar edhe mbi 80 protestues të tjerë.

Në një deklaratë të lëshuar sot, organizata Amnesty International fajësoi UNMIK-un se nuk ka punuar drejt zbardhjes së rastit të vrasjes së Balajt e Xheladinit, sjelljes së kryesve të këtyre vrasjeve para drejtësisë dhe dëmshpërblimin e familjarëve të viktimave.

http://kallxo.com/amnesty-international-kritikon-unmik-un-per-vrasjen-e-mon-balajt-e-arben-xheladinit/