VV: Qeveria aktuale është shembulli më i keq i punësimit të grave
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se gjendja e punësimit të grave në Kosovë është e rëndë.
Sipas saj, gratë janë të diskriminuara kur vjen fjala për punësim.
“Papunësia në Kosovë arrin deri në 40 për qind, por kjo shifër ka prekur më së shumti vajzat dhe gratë. Ato janë të shtypura dyfishtë edhe si gra edhe si qytetare”, ka thënë Haxhiu.
Sipas deputetes së VV-së, problemi i punësimit të grave nuk po gjen adresim nga Qeveria aktuale.
“Gjendja është alarmante, nuk kemi parë adresimin e këtij problemi. Kjo Qeveri është shembulli me i keq. Janë bërë disa ndryshime, legjislacioni nuk zbatohet nga vet ata që i nxjerrin”, tha ajo në një konferencë për media të hënën.
Ajo ka kritikuar edhe zyrat për barazi gjinore që janë të formuara nëpër çdo komunë të vendit por edhe atë në zyrën e Kryeministrit. Sipas saj, këto zyra nuk po bëjnë asgjë për të përmirësuar gjendjen në punësimin e grave në Kosovë.
“Zyrat për Barazi Gjinore nëpër komuna janë formale janë formale, asgjë nuk bëjnë në këtë drejtim. Edhe zyra për Barazi Gjinore në kuadër të zyrës së kryeministrit as një fushatë nuk e bëri”, tha Haxhiu.
Sipas saj, Vetëvendosje konsideron se pushimi prindëror duhet të ndahet nga gjashtë muaj për nënën dhe babain.
Ndërsa, anëtarja e kryesisë së VV-së Tinka Kurti prezantoi disa shifra mbi punësimin e grave në Kosovë. Sipas saj, në vend punojë vetëm 12 për qind e grave.
“Në Kosovë anë të punësuara vetëm 12 % e grave. 80% e grave janë të pa puna, ky është rezultat i politikave të gabura të shtetit. Këto shifra nuk kanë ndryshuar nga paslufta”, tha ajo.
Sipas Kurtit, diskriminimi po ndodhë duke filluar nga konkurset që hapën për punësim.
“Diskriminimi ndodhë ne konkurse. Për gra kërkohet me shumë në CV të tyre”, tha ajo.