Foto: Kallxo.com

Vuçiq: Po ndihem mrekullueshëm në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq mbërriti në Zubin Potok përmes kalimit kufitar të Bërnjakut pas orës 14:00.

Ai me këtë rast ka dhënë edhe deklaratën e tij të parë në lidhje me vizitën dy ditore në Kosovë. “Jam i lumtur që jam këtu, ndihem mrekullueshëm”, u shpreh ai gjatë qëndrimit në Zubin Potok, ku vizitoi Qendrën për ekologjinë dhe zhvillimin e sportit dhe Qendrën e Kryqit të Kuq.

“Këto janë objekte që janë ndërtuar me paratë e qytetarëve të Serbisë, dhe do të përdoret nga të rinjtë e këtij rajoni”, tha Vuçiq, me të cilin në Kosovë janë edhe drejtori i Zyrës për Kosovë, Marko Gjuriq, ministri i Shëndetësisë, Zlatibor Lonçar dhe kreu i BIA, Bratislav Gashiq.

Një pano e madhe me mbishkrimin “Mirë se vini president” është shpalosur në digën e liqenit Ujman. Flamuri i Serbisë dhe tabelat janë gjithashtu të paraqitura në Leskovë, Leposaviq, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok.

Ato janë të vendosura gjatë gjithë rrugës nga Jarinje në Mitrovicë.

Vuçiq do të vizitojë fermën e familjes Kovaqeviq në Ibarsko Postenje dhe shkollën bujqësore në Leshak.

Në sallën e Sporteve në Leposaviq, ai do të drejtojë mbylljen e Forumit të Biznesit, ndërsa në mbrëmje do të takohet me përfaqësuesit politikë të serbëve nga Kosova.

Në prag të vizitës së presidentit të Serbisë, KFOR tha në një deklaratë se situata është e qetë dhe stabile.

KFOR-i është urdhëruar të marrë të gjitha masat e nevojshme për të lejuar një vizitë nga presidenti Vuçiq, i cili më herët kishte thënë se në Kosovë do të mbajë fjalimin e tij më të rëndësishëm.

Vuçiq është duke u shoqëruar nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës FIT dhe Njësia për Mbrojtje të Afërt e Policisë “Close Protection”.

Siç raportoi KALLXO.com, njësitë speciale dhe ato të mbrojtjes së afërt janë duke siguruar nga afër presidentin e Serbisë në vizitën e tij ne veri të vendit.

KALLXO.com ka raportuar sot gjatë gjithë ditës për situatën dhe atmosferën e cila është duke mbretëruar në veri të vendit.

Vuçiq, i cili arriti sot në territorin e Republikës së Kosovës, pritet të qëndrojë dy dit në vendin tonë.

Kjo është agjenda dyditëshe e vizitës së tij në Kosovë:

Në ora 15:00 do të qëndrojë në Ujman,

Në ora 15:40 në Leshak,

Në ora 17:00 do të qëndrojë në Shkollën e Bujqësisë në Leshak,

Në ora 17:45 do të qëndrojë në Hallën e shporeteve në Leposaviç,

Në ora 19:00 arrin në Zveçan ku do ta kalojë natën.

Në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, të dielën, Vuçiq, në ora 08:00 viziton Qendrën Shëndetësore në Mitrovicë,

Në ora 08:30 do të qëndrojë sërish në Zveçan,

Në ora 09:15 do ta vizitojë fshatin Banjë,

Në ora 11:15 do të qëndrojë sërish në Mitrovicë, dhe

Në ora 13:00 do të largohet nga Kosova përmes pikës kufitare në Jarinje.