Isa Mustafa, kryetar i LDK-se

Mustafa: E papranueshme që Vuçiq flet për resurset e Kosovës si të ishin të tijat

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa i quajti të papranueshme deklarimet e presidentit serb Aleksandër Vuçiq për resurset natyrore të Kosovës në vizitën e sotme.

Mustafa tha se edhe përkundër deklaratave rrahagjokse të bartësve  të institucioneve të Kosovës, presidenti  i Serbisë Aleksandër Vuçiq po e viziton veriun e Kosovës sipas agjendës së tij.

Lexoni të plotë statusin e Mustafës në Facebook:

Edhe përkundër deklaratave rrahagjokse të bartësve  të institucioneve të Kosovës, presidenti  i Serbisë Aleksandër Vuçiq po e viziton veriun e Kosovës sipas agjendës së tij.

Problemi nuk qëndron në faktin se një president i një vendi fqinj po e viziton vendin tonë, sepse në një logjikë normale ajo të  ishte e natyrshme, ashtu siç do të ishte e natyrshme që presidenti ynë të vizitojë Serbinë. Por është e papranueshme që një president i një vendi fqinj të flet për resurset tona natyrore si të ishin të tijat dhe për tokën tonë si tokë të tij. Sa është e papranueshme që presidenti ynë në mënyrë jokushtetuese, i kurthuar në grackat serbe dhe të atyre që ishin kundër pavarësisë së Kosovës, të  shpreh pretendime territoriale ndaj një vendi fqinj, sepse këtu gjen hapësirë sjellja e papranueshme dhe hegjemoniste e Vuçiqit.

Kosova ka territorin e saj, mbi të cilin e ka shpallur pavarësinë dhe ky territor nuk është i negocueshëm me askënd për aq sa nuk është e negocueshme pavarësia e Kosovës.

https://kallxo.com/vuciq-i-lut-bizneset-nga-serbia-te-investojne-ne-kosove-e-metohi/