Liderët serb të veriut në pritje të presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq

Në pritje të Vuçiqit në Leposaviq edhe liderët serbë të veriut e ministra të qeverisë Haradinaj

Presidenti Serbisë Aleksandër Vuçiq ka arritur në sallën e sporteve në Leposaviq. Aty ai është duke vizituar panairin me produkte vendore dhe ato me veshje tradicionale.

Përveç qytetarëve të cilët kanë dalë ta presin presidentin Vuçiq, siç raporton ekipi i KALLXO.com prezent janë edhe liderët politik serb që janë pjesë e Qeverisë së Kosovës dhe kryetarët e komunave veriore.

Vuçiq deri më tani ka vizituar liqenin e Ujmanit, dhe ka ndaluar edhe në Leshak ku u është drejtuar qytetarëve vendas.

Ai në Leshak deklaroi se: “E di çka doni të dëgjoni, por nuk mund t’jua them”. Kështu iu është drejtuar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq qindra qytetarëve të cilët kishin dalë ta prisnin vizitën e tij në Leshak.

Vuçiq në Ujman deklaroi se duhet të ruhet stabiliteti dhe t`i përmirësojnë raportet me shqiptarët.

Presidenti i Serbisë ka folur edhe për integritetin territorial të Kosovës, ku e ka cituar kacelaren e Gjermanisë Angela Merkel, e cila është kundër lëvizjes së kufijve në Ballkan.

“Nëse Angela Merkel flet për pacenueshmërinë e integritetit territorial të Kosovës, kush jemi ne të themi ndryshe!”, ka thënë Vuçiq.

“Duhet të ruajmë paqen pasi kjo gjendje do të vazhdojë gjatë, andaj duhet të shikojmë të ardhme pasi kufijtë do të jenë më pak të rëndësishëm në Evropë”, ka deklaruar Vuçiq.