Vuciq ne Leposaviq

“Teatri politik” i vizitës së Vuçiqit në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq bëri deklarata të forta gjatë vizitës në Kosovë fundjavën që lamë pas. Megjithëse në fjalimet e tij ka përmendur fjalët si paqe dhe stabilitet në rajon, Vuçiq tha se Serbia nuk e ka në plan ta njohë Pavarësinë e Kosovës.

Mesazhi që Vuçiq e përçoi në Kosovë, për njohës të zhvillimeve politike dhe të sigurisë në vend, po cilësohet të jetë nacionalist dhe tendencioz.

Analisti politik, Artan Muhaxhiri tha për KALLXO.com se vizita e Aleksandër Vuçiq ishte teatër politik – me regji, skenar dhe aktorë.

“U shndërrua në shfaqje tipike të krijimit të mundësisë për prezantimin e qëndrimeve të ngarkuara me emocionalitet patriotik nga të dyja palët.  Vuçiq e shfrytëzoi rastin për t’iu dhuruar kiç spektakël bashkëkombësve të tij, kurse liderët kosovarë u përpoqën të tregoheshin të sertë me statuse në Facebook dhe me urdhra të vonuar institucionalë, atëherë kur çdo gjë ishte e qartë për rrjedhën e situatës”, tha ai.

Paralajmërimi i presidentit serb se do ta vizitojë liqenin më të madh artificial në Kosovë, atë të Ujmanit, ngjalli reagime të liderëve politik në Kosovë të cilët thanë se Vuçiq nuk ka çfarë të kërkojë në atë pjesë. Me gjithë kundërshtimet, pala kosovare u dorëzua duke i lejuar Vuçiqit të shkojë në Ujman.

Këto veprime sipas Muhaxhirit janë të pakuptueshme.

“Është krejtësisht e pakuptueshme përsëritja e vazhdueshme e një praktike absurde nga shumica e liderëve kosovarë: japin premtime publike dhe garanci institucionale se një ngjarje politike nuk do të ndodhë, përderisa të gjitha faktet logjike tregojnë se ajo do të ndodhë. Flasin përtej kompetencave të tyre realiste, duke u vetë-demantuar shumë shpejt”, thekson analisti.

 

Ndërkaq njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami tha për KALLXO.com se mesazhi i Vuçiqit ishte i fuqishëm se “e do Kosovën pa shqiptarë”, si dhe ai ka treguar se nuk i përfillë institucionet e Kosovës.

Sipas Islamit, pas kësaj vizite momentalisht gjendja e sigurisë në Kosovë është e qetë.

“Politika u prinë proceseve të ndryshme, pra edhe gjendja e sigurisë varet nga faktori politik se kah po shkon politika e Kosovës dhe si po reagon Qeveria e Serbisë në raport me atë të Kosovës.

Vizita e presidentit serb në Kosovë u përcoll edhe me protesta në rajonin e Drenicës, ku qytetarët ia pamundësuan Vuçiqit ta vizitojë fshatin Banjë të Komunës së Skenderajt.

Për këtë veprim, pati reagime nga BE-ja e cila shprehi keqardhje për anulimin e kësaj vizite, ndërsa presidenti Hashim Thaçi tha se protestat dhe bllokimi i rrugëve nuk i ndihmojnë stabilitetit.

Analisti Artan Muhaxhiri për KALLXO.com, thotë se reagimi i qytetarëve protestues është absolutisht i kuptueshëm.

“Pasojat e tragjedive që i ka shkaktuar shteti të cilin e përfaqëson Aleksandër Vuçiq ende janë të afërta dhe të dhimbshme”, thekson ai, duke shtuar se presidenti Thaçi deklaratën ia ka adresuar veshëve brukselianë dhe atyre amerikanë.

“Synimi i tij është që tash ta fuqizojë imazhin e vet si faktor i cili qëndron mbi idenë e zakonshme lideriste ballkanike të nxitjes së animoziteteve ndëretnike dhe shfrytëzimit të tyre për shantazh politik ndaj bashkësisë ndërkombëtare”, vlerëson Muhaxhiri.

Edhe për ekspertin e sigurisë Avni Islami, protesta e qytetarëve në Skenderaj ishte paqësore dhe e drejtë legjitime.

Se situata në Kosovë ishte e vështirë në fundjavë e pranoi edhe ambasadori amerikan Greg Delawie.

“Duhet të vazhdohet të punohet shumë për të zvogëluar tensionet midis Kosovës dhe Serbisë dhe për të normalizuar marrëdhëniet. Shpresoj që kjo fundjavë do të shihet si një pikë kthese pozitive”, ka shkruar Delawie në Twitter.