Babimost,- Foto: KALLXO.com

Vrasje në Babimost

Një person është pranuar sot në QKUK pa shenja jete dhe me plagë të armës së zjarrit.

Lajmi për atë që policia e cilëson vdekje të dyshuar, është bërë i ditur nga zëdhënësja e Policisë Rajonale të Prishtinës Florie Ahmeti-Haziraj.

“Rreth ores  14:00, policia ka marrë informatën se një person rreth 35 vjeç, me plagë nga arma e zjarrit dhe pa shenja jete është pranuar në QKUK Prishtinë”, tha Ahmeti- Haziraj.

Ngjarja, sipas saj, ka ndodhur në fshatin Babimost të Obiliqit.

“Kësisoj nga informacionet e para që ka siguruar policia është bërë e ditur se ngjarja ka ndodhur në fshatin Babimoc – komuna e Obiliqit”, vijoi shpjegimi i zëdhënëses së policisë.

Ahmeti-Haziraj bëri me dije se policia ka ndërmarrë veprime për ta sqaruar rrethanat e kësaj ngjarjeje,

“Menjëherë njësitë policore kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme operative e hetimore për të sqaruar dhe hetuar rrethanat e kësaj ngjarjeje”, tha Ahmeti-Haziraj për KALLXO.com.

Ajo tregoi se po punohet për identifikimin e të përfshirëve në këtë rast.

Në Babimost edhe në janar të këtij viti ishin gjetur të vdekur dy persona.