Vetura që dyshohet se u përdor nga vrasësit e Oliver Ivanoviqit. Foto: Kallxo.com

Vrasja e Ivanoviqit, Prokuroria Kërkon Ndihmë Nga Serbia për Identifikimin e Veturës

Prokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Njazi Rexha, tha të mërkurën se do të nevojitet ndihma nga hetuesia e Serbisë për të marrë më shumë informacione rreth veturës nga e cila është shtënë drejt liderit të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Rexha, i cili është njëri nga dy prokurorët që po e hetojnë këtë rast, tha se kanë kërkuar nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës që të kërkojnë ndihmën e autoriteteve serbe në këtë drejtim.

“Raporti i veturës ende nuk është marrë dhe ne kemi kërkuar përmes Ministrisë së Drejtësisë ndihmë nga shteti i Serbisë për t’i siguruar të dhënat për automjetin që është gjetur i djegur”, tha prokurori Rexha për KALLXO.com.

Vetura nga e cila vrasësit kanë gjuajtur në drejtim të Oliver Ivanoviqit në mëngjesin e 16 janarit në Mitrovicë të Veriut, është gjetur e djegur pak orë pas vrasjes në afërsi të vendbanimit të quajtur Zveçani i Vogël në pjesën veriore të Kosovës.

Rexha nuk dha detaje nëse janë siguruar xhirimet e kamerave të sigurisë në rrugët e Mitrovicës së Veriut.

“Sa i përket videove të kamerave, jemi duke punuar në atë drejtim, një herë nuk kemi asgjë konkrete”, tha prokurori.

KALLXO.com ka sjellë xhirime ekskluzive të veturës së djegur nga e cila është vrarë Ivanoviqi.

http://kallxo.com/vrasja-e-ivanoviq-ekspertet-e-policise-ekzaminojne-veturen/