VIDEO - Stadiumi ‘Fadil Vokrri’ sot në testin kryesor të UEFA-s

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se janë bërë të gjitha përgatitjet e mundshme që të zhvillohet një ndeshje me karakter ndërkombëtar pas renovimit të stadiumit të Prishtinës.

Këto deklarata i bëri gjatë konferencës në stadiumin e Prishtinës ‘Fadil Vokrri’.

“Sot luhet Superkupa e Kosovës në mes Prishtinës dhe Dritës, por arsyeja se pse jemi këtu është se sot është rihapja e stadiumit pas renovimit qe i është bërë me financim të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe të Komunës së Prishtinës me 1 milion euro”, tha Ahmeti.

Ai tha ndeshja e sotme është një test për të marrë licencën përfundimtare prej UEFA-s.

“Sot duhet të dëshmojmë bashkë se mundemi të organizojmë lojë edhe të karakterit ndërkombëtar, sepse UEFA sot me inspektorët e vet do ta konsiderojë lojën me karakter ndërkombëtar dhe ashtu është kërkuar nga ta që të bëhet që nga fillimi ku ekipet do të vijnë me autobus dhe kanë kërkuar që të ketë së paku 3000 shikues, deri tani janë shitur mbi 5000 bileta”, tha kryetari Ahmeti.

Stadiumi tashmë është i pajisur edhe me kamera që janë në funksion për parandalimin e çfarëdo incidenti.

Kryetari në konferencë njoftoi se po planifikojnë ndërtimin e 12 fushave sintetike që trajnimet lojtarët mos t’i kryejnë në këtë stadium për shkak të mirëmbajtës.

Në planet e kryetarit së shpejti është edhe renovimi i Pallatit të Rinisë.

Ndeshja finale e Superkupës së Kosovës mes Prishtinës dhe Dritës, fillon nga ora 20:00.