FOTO: KALLXO.com

Veteranët paralajmërojnë protesta të dhunshme

Pas takimit që kishin me këshilltarin e kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit, organizatori i protestës së grupit të ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga rajoni i Drenicës, Faik Zogaj, ka paralajmëruar protesta të dhunshme nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre brenda 30 ditëve.

Kërkesa e grupit të ish-luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga rajoni i Drenicës ishte të pastrohet lista e veteranëve të rrejshëm brenda 30 ditëve dhe të ngritet aktakuzë për personat të cilët po marrin pagë të veteranit në mënyrë të paligjshme.

“Ne kërkesat që i patëm i dërguam në kuvend. Kuvendi prej tre kërkesave e ka mbështet vetëm njërën atë të pastrimit të listave të veteranëve. Dy kërkesat e tjera atë të lirimit të Sylejman Selimit dhe shkarkimit të Lumezit nuk dhanë asnjë koment”, tha Zogaj.

Ai tregoi se kishte eskaluar situata brenda takimit, duke shtuar se Zogaj po i kërkon të drejtat e tij.

“Unë dola pak prej kontrolle në kuvend por nuk kam faj pasi që unë po kërkoj të drejtat e mia. Brenda 30 dite nëse prokuroria nuk ngrit aktakuzë për veteranët e falsifikuar ne do të veprojmë. Kjo është protesta e fundit sa i përket veteranëve”, shtoi ai.

Në fund Zogaj tha se nuk kanë zgjidhje tjetër, vetëm të protestojnë dhunshëm nëse nuk plotësohen kriteret e kërkuara nga veteranët.

“Rrugë ligjore jemi që tri vjet duke i ndjekur, nëse ka drejtësi bëhet pastrimi i listave. Veprimet tona nuk mundemi me i bo publike. Nuk kemi tjetër zgjidhje duhet me vepru dhunshëm nëse nuk zbatohen kërkesat. Nëse nuk zbatohet kërkesa për pastrimin e listave ne do t’i pastrojmë listat vet dhe e dimë se si ti pastrojmë”.

KALLXO.com raportoi për protestën e veteranëve para qeverisë dhe kuvendit.

https://kallxo.com/veteranet-protestue-priten-ne-zyren-e-kryeparlamentarit/