Vendi i ngjarjes së vrasjes së trefishtë në Gjakovë | Foto: KALLXO.com

Vetëdorëzohen Dy Persona për Vrasjen e Trefishtë në Gjakovë

Policia në Gjakovë njoftoi se dy persona të dyshuar për vrasjen e trefishtë që kishte ndodhur në këtë qytet më 23 gusht të vitit 2016 janë vetëdorëzuar.

Lajmin e bëri të ditur Lirije Podrimaj nga Zyra për Informim e Policisë në Gjakovë.

“Të dyshuarit janë V.Gj i lindur në vitin 1990 dhe Q.Sh. i lindur në vitin 1990, të dy shqiptarë kosovarë,” tha Podrimaj.

Sipas saj të vetëdorëzuarve me urdhër të prokurorit u është caktuar ndalimi policor.

Sipas policisë, Sektori Rajonal për Hetime në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë ka arritur të identifikojë të dyshuarit në bazë të ekzaminimit të provave dhe dëshmive dhe pastaj nga bashkëpunimi i kësaj njësie me Prokurorinë Themelore në Gjakovë është mundësuar vetëdorëzimi i tyre.

KALLXO.com kishte shkruar për vrasjen në “Çarshinë e Vjetër” të Gjakovës më 23 gusht 2016.

http://kallxo.com/tre-persona-te-vrare-ne-gjakove/