Veseli uron qytetarët për transformimin e FSK-së pa u bërë votimi në Kuvend

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka njoftuar se data 14 dhjetor do të jetë data kur tri projektligjet që kanë të bëjnë me Forcën e Sigurisë së Kosovës do të votohen në Kuvendin e Kosovës.

Ai gjithashtu ka uruar qytetarët për transformonin e FSK-së në Forca të Armatosura në këtë datë.

“Me 14 dhjetor urime gjithëve do ta kemi transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës”, tha Veseli.

Veseli ka përmendur se këtë javë  do të mbahet një seancë e rregullt dhe seancat e papërfunduara.

“Seancë parlamentare të rregullt do të kemi me 6 dhjetor dhe ditën e nesërme në ora 17:00 do të kemi vazhdimin e seancave parlamentare të cilat janë të papërfunduara, shumica e të cilave janë vetëm votime”, tha kryeparlamentari.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj pas mbledhjes së Kryesisë, e konfirmoi se Grupi Parlamentar i LDK-së, do të jenë pjesëmarrës në seancën e 14 dhjetorit, ku do të votohen tri projektligjet për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Grupi Parlamentar i LDK-së do të merr pjesë në seancën për votimin e tri projektligjeve qe kanë të bëjnë me Forcat e Armatosura. Seancat tjera mbeten ne vazhdën e grumbullimit të pikave”, tha Zemaj.

Ndërkaq, Veseli përmes Facebook-ut ende pa përfunduar mbledhja ka bërë të ditur se seanca për votimin e projektligjeve për FSK-në, është caktuar për 14 dhjetor.