Vendorët e Marrin në Dorë Dosjen e Shpërthimit në Lokalin ‘Sekiraqa’

Seanca gjyqësore rreth shpërthimit në lokalin “Sekiraqa” në Prishtinë, e paraparë të mbahej sot, nuk është mbajtur.

Prokurorja e EULEX-it, Damare Theriot, e cila e ka pasur përsipër këtë rast, tha se dosja do të kalojë te prokurorët vendorë të cilët, sipas saj, kanë shprehur gatishmëri ta marrin këtë rast, raporton KALLXO.com.

Për këtë arsye seanca është shtyrë për kohë të pacaktuar.

Në prill të këtij viti, Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim këtë rast, gati një vit pasi shtatë persona ishin liruar nga akuzat lidhur me shpërthimin në lokalin “Sekiraqa”, ku humbën jetën dy persona dhe disa të tjerë u lënduan.

Vendimi për kthim të rastit në pikën zero ishte marrë nga një kolegj i Gjykatës së Apelit me shumicë gjyqtarësh të EULEX-it

Bejtullah Mehmeti, Luan Qerkini, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Afet Dalloshi, Arbresh Dalipi dhe Mehmet Mehmeti ishin liruar nga akuzat lidhur me shpërthimin në lokalin “Sekiraqa”, që prokuroria pretendon se u krye si hakmarrje ndaj Enver Sekiraqës, pas vrasjes së policit Triumf Riza.

Sipas prokurorisë, ishte nata e 24 shtator 2007 kur në lokalin “Sekiraqa”, në bulevardin “Bill Clinton” në Prishtinë, të akuzuarit të motivuar nga hakmarrja ndaj Enver Sekiraqës, të cilin e konsideronin si përgjegjës lidhur me vrasjen e  policit Triumf Riza, kanë vënë një mjet shpërthyes në përdhesë të objektit ku ndodhej lokali “Sekiraqa”.

‘Fantazma’ e Shpërthimit në Lokalin ‘Sekiraqa’

Si pasojë e këtij shpërthimi të vdekur kishin mbetur Plator Sllamniku dhe Naim Murati ndërsa ishin lënduar disa persona të tjerë.

Lidhur me këto akuza, Gjykata Themelore e Prishtinës e përbërë nga një trup gjykues me shumicë gjyqtarësh të EULEX-it, nxori aktgjykimin sipas të cilit liroi nga akuza të gjithë të pandehurit mbi arsyetimin se mbrojtjes së të akuzuarve nuk u ishin zbuluar provat shfajësuese dhe se vazhdimi i gjykimit do të shpinte në shkelje të mëtejshme të parimit të gjykimit të rregullt.

Prokurore e këtij rasti deri në largimin e saj nga Kosova kishte qenë gjyqtarja Maria Bamieh.

Ndaj këtij vendimi të Gjykatës Themelore në Gjykatën e Apelit ishte ankuar prokuroria që pretendonte se vendimi i themelores nuk ishte i drejtë.

Të Pandehurve për Shpërthimin te Sekiraqa u Lexohet Aktakuza