Enver Sekiraqa sot në gjykatë. Foto: Kallxo.com

Enver Sekiraqa vendos të mos i përgjigjet as prokurorit, as trupit gjykues

Gati një vit pasi Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim rastin ku Enver Sekiraqa akuzohet për nxitjen e vrasjes së policit Triumf Riza dhe pak ditë nga 11 vjetori i vrasjes së pjesëtarit të Njësisë Speciale të Kosovës, në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka rinisur procesi gjyqësor ndaj tij.

Megjithatë, në rifillimin e gjykimit, Sekiraqa deklaroi se do të mbetet në heshtje në pyetjet e prokurorit dhe trupit gjykues.

“Asnjë përgjigje, as prokurorit e as trupit gjykues nuk u përgjigjem”, tha Sekiraqa.

Në anën tjetër, avokatja e Sekiraqës, Kosovare Kelmendi kërkoi nga trupi gjykues që ta rezervojë të drejtën që në vazhdimësi të këtij shqyrtimi gjyqësor, nëse i mbrojturi i saj e ndërron mendjen të mund të ketë mundësinë që ta jap mbrojtjen.

“Kërkoj nga trupi gjykues që në fazat e mëtutjeshme të ekzistoj mundësia e thyerjes së heshtjes pasi që në fazat e mëvonshme ky ndryshim i tij mund të qëndroj”, deklaroi avokatja.

Gjykimi vazhdoi me fjalën hyrëse të prokurorit të Prokurorisë Speciale, Haki Gecaj.

“Dëshmitë që do të dëgjohen në këtë shqyrtim gjyqësor do të vërtetohet se Enver Sekiraqa e ka koordinuar planifikuar dhe nxitur Arben Berishën për kryerjen e veprës penale të vrasjes së Triumf Rizës së datës 30.08.2007”,tha Gecaj.

Gecaj tha se në fund të procesit pasi të dëgjohen dëshmitarët dhe administrohen provat, do të vërtetohet se Sekiraqa e ka nxit të dënuarin Arben Berisha për kryerjen e veprës penale dhe mendoj që në fund të shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet kjo gjë dhe Enver Sekiraqa do të dënohet”.

Tërësisht ndryshe nga Gecaj deklaroi mbrojtja e Sekiraqës që vlerësuan se aktakuza nuk duhej të kishte ardhur në këtë fazë.

“Para vetes kemi një vendim të gjykatës së instancës më të lartë e cila për të mos thënë vetëm përmes rreshtave por edhe me qartësi na bënë me dije se kjo aktakuzë nuk do të duhej të kishte ardhur fare në këtë fazë. Nëse shikohet aktakuza trupi gjykues do të ballafaqohet qysh në start me problemin se si është përshkruar vepra penale në këtë aktakuzë ku përmendet kryesi i vrasjes se tani të ndjerit Triumf Riza,  i dënuari Arben Berisha si bashkë kryes me Ilir Avdullahun e të tjerët por pyetja të cilën mbrojtja do ta ngrejë gjatë këtij shqyrtimi është nxitja, për faktin se në këtë çështje penale i akuzuari akuzohet për nxitje kurse në një tjetër çështje penale për bashkëkryerje”, tha Kelmendi.

Kelmendi tha se në fund të këtij procesi, nuk do të bindet askush për formën apo mënyrën e nxitjes së të dënuarit Arben Berisha nga Enver Sekiraqa nga provat e administruara.

Përpos kundërshtimit të aktakuzës, Kelmendi kërkoi edhe zëvendësimin e masës së paraburgimit me ndonjë masë më të butë por propozimi i saj u refuzua.

Sekiraqa ishte dënuar në vitin 2016 me 27 vjet në lidhje me nxitjen e vrasjes së policit Triumf Riza, mirëpo Gjykata e Apelit e gjeti të mbështetur ankesën e mbrojtjes dhe e ktheu në rigjykim çështjen.