Të Pandehurve për Shpërthimin te Sekiraqa u Lexohet Aktakuza

Bejtullah Mehmeti, Luan Qerkini, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Nysret Cena, Afet Dalloshi Arbresh Dalipi  e Mehmet Mehmeti u paraqitën, së bashku me mbrojtësit e tyre, të hënën para gjyqtares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Anna Adamska Galant.

Këta janë tetë të akuzuarit e rinj për shpërthimin e para gjashtë vjetëve në lokalin Sekiraqa.

Seanca nuk filloi në orën 9:00, si ishte paraparë, ngase njëri nga të pandehurit, Afet Dalloshi nuk ishte sjellë me kohë nga burgu i Dubravës, ku ndodhet në paraburgim që nga 30 nëntori.

Njësisë së transportit të burgosurve nga Dubrava ju desh 1 orë e 10 minuta që ta sjellin të pandehurin Dalloshi në seancë.

Në paraburgim gjenden edhe Nysret Cena dhe Luan Qerkini, të cilëve së bashku me Afet Dalloshin, Gjykata e Apelit më 30 nëntor iu caktoi paraburgimin. Të tjerëve të pandehur, po atë ditë, e njëjta gjykatë, ua caktoi masën e arrestit shtëpiak.

Gjykata vendosi për masa të tilla kundër të pandehurve, pasi prokurorja e rastit Maria Bamieh u ankua në Apel, për masat e mëparshme kundër tyre, të vendosura nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Në seancë u lexua aktakuza për të gjithë të pandehurit, të cilët i thanë gjykatës se “ndihen plotësisht të pafajshëm”.

I pandehuri Fadil Sadiku tha se aktakuza është “trillim, fabrikim dhe inskenim nga personat që gjenden në burg dhe prokurorja Maria Bamieh”.

Në anën tjetër Nysret Cena tha se “pafajësinë time e kanë vërtetuar tri instancat e gjykatës”. Cena ishte shpallur i pafajshëm në vitin 2009, pas një procesi gjyqësor që dënoi dy persona për shpërthimin te lokali i quajtur Sekiraqa.

Prokurorja Bamieh bëri disa përmirësime teknike të aktakuzës, duke paralajmëruar se do ta zgjerojë aktakuzën për Arbresh Dalipin e Mehmet Mehmetin, të cilët do të akuzohen edhe për vrasje.

Gjykatësja u dha instruksione palëve që të gjitha kërkesat, kundërshtimet, ose deklarimet t’i bëjnë me shkrim në afat prej 30 ditësh nga dita e sotme. Afati i mbrojtjes dhe të pandehurve për fjalët e tyre përfundon më 8 janar.

Gjykatësja Galant ia la shtatë ditë prokurores që të përgjigjet në pretendimet e mbrojtjes.
Eksplozivi kishte shpërthyer më 27 shtator 2007 në lokalin “Sekiraqa”, që ndodhet në lagjen “Dardania” në Prishtinë, duke vrarë Naim Muratin e Pleurat Sllamnikun.

Shpërthimi atëkohë plagosi edhe njëmbëdhjetë veta: Xhelal Sinanin, Vigan Zenelin, Liridon Nishevcin, Gëzim Sylën, Esat Nishevcin, Naim Hysenin, Fadil Berishën, Luan Kadriun, Shkëlqim Sylën, Milot Kadriun dhe Teuta Kadriun.

Dyshimet për kryerjen e veprave penale rëndojnë mbi policët Bejtullah Mehmeti (1979), Luan Qerkini (1977), Bekim Suma (1970), Fadil Sadiku (1979), ish policët Arbresh Dalipi (1981) e Mehmet Mehmeti (1975), ish pjesëtarin e TMK-së, Nusret Cenën (1975) dhe Afet Dalloshin (1978).

Lidhur me shpërthimin në fjalë, Besnik Hasani, pjesëtar i Njësisë Speciale të Kosovës dhe Shpend Qerimi, pjesëtar i Njësisë Antidrogë, që në këtë aktakuzë janë dëshmitarë, në shtator të vitit 2009, janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar me nga 25 vjet burgim për veprat penale, vrasje e rëndë, lëndim i rëndë trupor dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm. Ndërsa, Nysret Cena atëherë ishte liruar nga akuzat.

Hasani e Qerimi edhe nga Gjykata Supreme e kanë të konfirmuar dënimin dhe janë në vuajtje të tij.

Shpërthimi në kafenenë “Sekiraqa” kishte ndodhur rreth një muaj pas vrasjes së policit Triumf Riza, ndërsa policia atëkohë besonte se përgjegjës për vrasjen e tij ishte një bashkëpunëtor i afërt i Sekiraqës.

Sipas aktakuzës, polici Triumf Riza dhe Enver Sekiraqa, që njihet si “gangsteri” i Prishtinës, kishin marrëdhënie të tendosura për shkak se Riza ishte në lidhje intime me këngëtaren Adelina Ismajli, që kishte qenë ish-e dashura e Sekiraqës.

Sekiraqa është duke u gjykuar për sulm ndaj personit zyrtar të kryer në vitin 2005,  në kohën kur po e vuan një tjetër dënim prej 2 vjetësh në burgun e Dubravës për veprën e njëjtë të kryer në vitin 2007, pas dorëzimit të tij te Eulex-i, tetorin e vitit të kaluar.