Kthehet në Pikën Zero Gjykimi për Shpërthimin në Lokalin “Sekiraqa”

KALLXO.com ka siguruar vendimin e Gjykatës së Apelit që e rikthen rastin në pikën zero duke gjetur një varg shkeljesh procedurale të aktgjykimit të Gjykatës Themelore.

Bejtullah Mehmeti, Luan Qerkini, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Afet Dalloshi, Arbresh Dalipi dhe Mehmet Mehmeti ishin liruar nga akuzat lidhur me shpërthimin në lokalin “Sekiraqa”, që prokuroria pretendon se u krye si hakmarrje ndaj Enver Sekiraqës, pas vrasjes së policit Triumf Riza.

Sipas prokurorisë, ishte nata e 24 shtator 2007 kur në lokalin “Sekiraqa”, në bulevardin “Bill Clinton” në Prishtinë, të akuzuarit të motivuar nga hakmarrja ndaj Enver Sekiraqës, të cilin e konsideronin si përgjegjës lidhur me vrasjen e  policit Triumf Riza, kanë vënë një mjet shpërthyes në përdhesë të objektit ku ndodhej lokali “Sekiraqa”.

Si pasojë e këtij shpërthimi të vdekur kishin mbetur Plator Sllamniku dhe Naim Murati ndërsa ishin lënduar disa persona të tjerë.

Lidhur me këto akuza, Gjykata Themelore e Prishtinës e përbërë nga një trup gjykues me shumicë gjyqtarësh të EULEX-it, nxori aktgjykimin sipas të cilit liroi nga akuza të gjithë të pandehurit mbi arsyetimin se mbrojtjes së të akuzuarve nuk u ishin zbuluar provat shfajësuese dhe se vazhdimi i gjykimit do të shpinte në shkelje të mëtejshme të parimit të gjykimit të rregullt.

Prokurore e këtij rasti deri në largimin e saj nga Kosova kishte qenë gjyqtarja Maria Bamieh.

Ndaj këtij vendimi të Gjykatës Themelore në Gjykatën e Apelit ishte ankuar prokuroria që pretendonte se vendimi i themelores nuk ishte i drejtë.

‘Fantazma’ e Shpërthimit në Lokalin ‘Sekiraqa’

Vendimi i Gjykatës së Apelit që mban datën 4 prill 2017, të cilën  ka siguruar KALLXO.com, anulon vendimin e Gjykatës Themelore të korrikut të vitit të kaluar dhe rikthen çështjen në rigjykim.

Ndryshe nga gjetjet e Gjykatës Themelore se mos-zbulimi i provave shfajësuese përbën arsye për refuzimin e akuzës, Kolegji i Gjykatës së Apelit ka gjetur se kjo rrethanë nuk përbën arsye për refuzimin e akuzës sipas Kodit të Procedurës Penale.

“Spekulimi se e drejta për një gjykim të rregullt do të shkelej sepse sipas mendimit të trupit gjykues prokurori po fsheh provat shfajësuese, nuk përbën rrethanë që përjashton ndjekjen penale sipas nenit 363. Përkundrazi trupi gjykues ka shkelur detyrën e vet për të bërë një ekzaminim të duhur të provave të prezantuara dhe he argumenteve të dorëzuara nga palët”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.

Më tej, Gjykata e Apelit i jep udhëzime të qarta Gjykatës Themelore se si duhet të veprojë në rigjykim të këtij rasti.

“Gjykata e bazon aktgjykimin vetëm në faktet dhe provat e proceduara në shqyrtim gjyqësor. Gjykata detyrohet që me ndërgjegje të vlerësoj çdo provë një nga një dhe në lidhje me provat e tjera dhe në bazë të vlerësimit të tillë të nxjerrë përfundim se nëse fakti konkret është provuar”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit.

Bejtullah Mehmeti, Luan Qerkini, Bekim Suma, Fadil Sadiku, Arbresh Dalipi dhe Mehmet Mehmeti akuzohen nga Prokuroria për veprën penale të vrasjes së rëndë ndërsa Afet Dalloshi për ndihmë, lidhur me shpërthimin e shtatorit të vitit 2007.

http://kallxo.com/grupi-i-kacanikut-si-trekendeshi-i-bermudeve/

Avokati i Afet Dalloshit, Ramë Dreshaj, lidhur me këtë rast pretendon se prokuroria ka fabrikuar dy dëshmitarë.

“Shpend Qerimi dhe Besnik Hasani, të cilët tashmë janë dënuar  me të gjitha mjetet e rregullta dhe të jashtëzakonshme juridike dhe kjo shihet edhe gjatë intervistimit të tyre në prokurori”, tha Dreshaj për KALLXO.com

Dreshaj thotë se akuzat për të mbrojturin e tij, tashmë janë cështje e gjykuar.

“Sa i përket Afet Dalloshit, se gjoja i ka ndihmuar dhe ka siguruar eksplozivin, kjo është çështje e gjykuar në rastin ku për këtë çështje janë dënuar Shpend Qerimi dhe Besnik Hasani”, tha Dreshaj.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar lidhur me këtë rast dhe tërë historikun e këtij gjykimi, ndërsa raportimet mund t’i gjeni në këtë link.