Pamje nga seanca ku u shpall aktgjykimi për rastin e shpërthimit në lokalin 'Sekiraqa' - Foto: KALLXO.com

‘Fantazma’ e Shpërthimit në Lokalin ‘Sekiraqa’

Një bombë e përgatitur në një vend të pazakontë, në një fermë delesh në një fshat të Kaçanikut, shpërtheu në syfyrin e 24 shtatorit 2007 në Prishtinë dhe i mori jetën Pleurat Sllamnikut e Naim Muratit dhe la të lënduar 11 persona të tjerë.

Cak i këtij sulmi sipas aktakuzës së prokurores Maria Bamieh ishte lokali “Sekiraqa”, e motiv ishte hakmarrja për vrasjen e policit Triumf Riza më 30 gusht të atij viti.

Aktakuza për kryerjen e këtij akti rëndoi mbi policët Bejtullah Mehmeti (1979), Luan Qerkini (1977), Bekim Suma (1970), Fadil Sadiku (1979), Arbresh Dalipi (1981) e Mehmet Mehmeti (1975), dhe pjesëtarët e TMK-së, Nusret Cenën (1975) dhe Afet Dalloshin (1978).

Polici Triumf Riza ishte vrarë nga Arben Berisha më 30 gusht të vitit 2007 ndërsa të akuzuarit sipas Prokurorisë dëshironin të nxirrnin hak ndaj Enver Sekiraqës për ish-kolegun e tyre.

Mbi të akuzuarit rëndonin tri akuza, vrasje e rëndë, vrasje e rëndë në tentativë si dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Po lidhur me këtë shpërthim, pas një procesi gjyqësor, Besnik Hasani, pjesëtar i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës dhe Shpend Qerimi, pjesëtar i Njësisë Antidrogë, në shtator të vitit 2009, ishin shpallur fajtorë dhe janë dënuar me nga 25 vjet burgim. Ndërsa, Nysret Cena atëherë ishte liruar nga akuzat.

Nystret Cena do të lirohej nga akuza edhe në rastin e dytë me arsyetimin se ishte çështje e gjykuar.

Gati 9 vjet pas shpërthimit dhe pas 22 seancave gjyqësore, një trup gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Katrien Witteman, refuzoi akuzën e prokurores Bamieh, me arsyetimin se mbrojtjes së të akuzuarve nuk i ishin zbuluar disa prova që mund të ishin të dobishme për ta dhe kështu u ishin shkelur të drejtat të akuzuarve.

KALLXO.com ju sjell në vijim tërë kronologjinë e këtij rasti dhe ndërlidhjet me rastet e tjera.

“Trekëndëshi i Bermudeve” dhe “SHIK-u”

Seanca fillestare e rastit që më pas u njoh si “Bombing Case” u mbajt në nëntor të vitit 2013, ndërsa kryetare trupit gjykues ishte gjyqtarja polake e EULEX-it, Ana Adamska Gallant.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Maria Bamieh, të gjithë të akuzuarit ishin deklaruar se ndihen të pafajshëm dhe kishin dhënë versionet e tyre.

Të akuzuarit aktakuzën e kishin quajtur fabrikim dhe trillim teksa Nystret Cena kishte proklamuar pafajësinë e tij të fituar në procesin gjyqësor të mëparshëm.

Të Pandehurve për Shpërthimin te Sekiraqa u Lexohet Aktakuza

Trupi Gjykues në përbërje të kryetares Ana Adamska Gallant, Malcolm Simmons si dhe gjyqtarit vendor Vesel Ismajli kishte mbajtur 17 seanca publike në këtë përbërje.

Gjatë këtyre seancave, momentet më interesante ishin dëshmitë e të dënuarve për këtë shpërthim, tani në rolin e dëshmitarëve, Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi.

“Trekëndëshi i Bermudeve”, ishte emërtimi që i dha Shpend Qerimi gjatë dëshmisë së tij të akuzuarve duke shtuar se “Aty ka hy njeri dhe është zhdukë pa dokë”.

http://kallxo.com/grupi-i-kacanikut-si-trekendeshi-i-bermudeve/

Qerimi në dëshminë e tij përshkroi se si ishte sjellë bomba nga stalla e deleve, si dukej ajo e po ashtu edhe për armët M5 që i kishin pasur.

Dëshmitari i dënuar Qerimi gjithashtu tregoi për incidentin e Ferizajt në mes të akuzuarve dhe Enver Sekiraqës, ku tha se Sekiraqa ishte rrahur ndërsa si pretekst i ishte kurdisur një revole.

Hiç më pak interesant nuk ishte edhe dëshmia e dëshmitarit tjetër, të dënuarit Besnik Hasani. Ai i quajti Nystret Cenën, Fadil Sadikun dhe Bejtullah Mehmetin pjestarë të SHIK-ut por kur u pyet se ku e bazonte këtë tha se “Është çështje e imja ku e bazoj”.

Hasani tha se hakmarrja ndaj Sekiraqës ishte për shkak të kolegut të tyre të vrarë Triumf Rizës.

http://kallxo.com/ne-gjykimin-per-sekiraqen-flitet-per-shik-un-triumf-rizen-e-adelina-ismajlin/

Ryshfeti, EULEX-i dhe Suspendim i Bamieh

Rasti ishte duke shkuar normalisht deri kur shpërtheu një skandal i padëgjuar më parë në Kosovë. Disa shkrime të botuara në një të përditshme kosovare nxirrnin në pah një sërë skandalesh ku gjyqtarë të EULEX-it ishin të përfshirë në marrjen e ryshfetit për mbylljen e rasteve dhe ndër këto raste ishte rasti i vrasjes së trefishtë në Kaçanik.

Prokurorja Bamieh në një intervistë ekskluzive për emisionin “Jeta në Kosovë” hodhi akuza ndaj gjykatësit të EULEX-it , Francesco Flori se kishte pranuar ryshfet për të mbyllur rastin.

“Me sa e kuptoj, në bazë të pretendimeve të bëra nga Qerimi dhe Hasani këto 300 mijë euro janë dhënë për lirimin e tre personave. Me sa e kam kuptuar nga këto pretendime, kur janë dhënë këto para, Francesco Florit ka thënë jo, 300 mijë euro është për një person dhe për 300 mijë euro mund ta liroj vetëm një person dhe kësisoj Nysret Cena është liruar. Kjo është ajo që më është shpjeguar mua”, kishte thënë  Bamieh.

Rrëfimi i Prokurores Maria Bamieh

Akuza për marrje ryshfeti ndaj Florit kishte edhe vëllai i Besnik Hasanit. Ai për emisionin “Jeta në Kosovë”, shpjegoi detajet e pretendimeve të tij.

http://kallxo.com/flet-personi-qe-thote-se-mblodhi-parate-per-gjyqtarin-francesko-florit/

Të gjitha këto akuza u mohuan nga gjyqtari Florit, i cili në një deklaratë të dhënë për emisionin “Jeta në Kosovë” tha se nuk ka marrë asnjëherë ryshfet.

http://kallxo.com/gjyqtari-i-eulex-it-thote-se-nuk-i-mori-300-mije-euro-ryshfet/

Nuk vonoi shumë dhe pas këtyre ngjarjeve prokurorja Bamieh u suspendua nga detyra e saj si prokurore e EULEX-it me pretekstin se ka nxjerrë informacione për çështje të brendshme të EULEX-it.

Çështja e largimit të Bamieh nga misioni është objekt i një Gjykate në Britani. Ajo po ndjek procedurat ligjore për largim të padrejtë nga puna dhe tashmë e ka fituar betejën e parë ligjore në atë rast.

http://kallxo.com/maria-bamieh-fiton-betejen-e-pare-ligjore-ndaj-eulex/

“Ghost” dhe “Hermes” që Liruan të Akuzuarit

Fjala “Ghost” përkthyer nga gjuha angleze do të thotë fantazmë,  e që sipas fjalorin të gjuhës angleze ka kuptimin: “shpirti i një personi të vdekur, ndonjëherë i përfaqësuar si një imazh i zbehtë, pothuajse transparent i atij personi që disa njerëz besojnë se u shfaqet të gjallëve”.

Hermes në anën tjetër emërtohej një perëndi greke që karakterizohej me shpejtësi dhe fat të mirë dhe që shërbente si i dërguar i Zeusit dhe perëndive tjera.

Sipas mitologjisë greke Hermes ishte edhe mbrojtës i udhëtarëve, shkrimtarëve, atletëve, tregtarëve, hajdutëve dhe oratorëve.

Pa dyshim se këto dy nocione që i shtjelluam më sipër nuk do të kishin kuptim në kontekst të shkrimit tonë, nëse këta dy emra nuk do të ndodheshin në shkresat e kësaj lënde.

Pashmangshëm se prokurorja Maria Bamieh pas suspendimit u largua nga rasti dhe në vend të saj erdhi prokurori amerikan Kent Mortimore.

Më 25 nëntor të vitit 2014 gjatë seancës së mbajtur para trupit gjykues paraprak në këtë lëndë prokurori Mortimore e njoftoi gjykatën se në zyrën e prokurores Bamieh ai kishte gjetur dy regjistratorë me fjalën “Ghost” të shkruar në të.

Përpos “Ghost”, gjyqtarja Witteman tha se prokurori Mortimore pas më shumë se gjysmë viti pasi e zbuloi “Fantazmën”, ai Gjykatës i dorëzoi edhe një CD me materiale të të “Dërguarit të Zeusit”.

Megjithatë, gjyqtarja Witteman tha se prokurori Mortimore nuk i zbuloi materialet e “Hermes” mbrojtjes me pretekstin se “kjo do të pengonte hetimet dhe se do të rrezikonte jetën e njerëzve të përfshirë”.

Gjyqtarja Witteman tha se trupi gjykues pas analizimit shumë të kujdesshëm të materialeve erdhi në përfundim se nuk pajtohej me prokurorinë dhe se “Hermes” sikurse edhe “Ghost”, përmbanin materiale që mund t’i hynin në punë mbrojtjes.

Në këtë formë trupi gjykues në shpalljen e aktgjykimit duke shikuar dispozitën e Kodit të Procedurës Penale të Kosovës që e obligon Prokurorinë t’i zbulojë materialet mbrojtjes refuzoi akuzën për të gjitha pikat për të gjithë të akuzuarit.

“Nëse procedura do të kishte vazhduar pa materialin e zbuluar, ky moszbatim pashmangshëm do të kishte çuar në shkeljen e parimit të barazisë së palëve”, tha Witteman duke lexuar arsyetimin e aktgjykimit për refuzim të akuzës.

Witteman tha se kjo e drejtë të akuzuarve u njihet si nga legjislacioni vendor e ashtu edhe nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Kësisoj, rasti i shpërthimit në lokalin “Sekiraqa” u mbyll për shkak se mbrojtjes nuk i ishin zbuluar materialet, pra për shkelje procedurale, pa u vendosur për çështjen meritore nëse të akuzuarit ishin fajtorë apo jo.

I gjithë ky rast me gjithë historinë e tij tërheq prapa vetes shumë pyetje të pazgjidhura dhe të mbetura enigmë.

Dy persona të vdekur, 11 të lënduar dhe 50 vite burg është epilogu i deritanishëm i këtij rast.

I gjendur mes akuzave e kundërakuzave  për marrje të ryshfetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve që në Kosovë erdhën për të vendosur drejtësinë, zbardhja e këtij rasti ende nuk është e plotë.

Se a do të përgjigjet dikush nga gjyqtarët dhe prokurorët e përfshirë në këtë rast për veprimet e tyre i mbetet kohës të tregojë.

http://kallxo.com/prokurori-mendon-se-ka-gjetur-prova-shtese-per-shperthimin-te-sekiraqa/

Hakmarrja Ndaj Sekiraqës- Rasti II