Shyqiri Bytyqi - Foto: KALLXO.com

Vendimi i Ministrisë: Shkollat një orë mësim për miqësinë e Kosovës me ShBA-në

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka marrë vendim përmes të cilit u kërkohet të gjitha institucioneve të arsimit parauniversitar që të mërkurën orën e parë të mësimit t’ia kushtojnë miqësisë mes Kosovës dhe ShBA-së në shenjë respekti, mirënjohjeje dhe vlerësimi për veprimtarinë politike të ish presidentit amerikan, George H.W Bush.

Sipas njoftimit të ministrit Shyqiri Bytyqi, kjo nismë është në funksion të fuqizimit të raporteve mes shtetit të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe përkushtimit të presidentit të ndjerë Bush për faktorizimin e çështjes së Kosovës në momente të rëndësishme historike.

Gjithashtu, MAShT bën thirrje që arsimtarët, nxënësit, studentët dhe profesorët e Prishtinës të mblidhen para Teatrit Kombëtar për ndezjen e qirinjve në respekt të ish-presidentit amerikan të 41-të.

George. H.W. Bush, Presidenti i 41-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka vdekur me 01.12.2018 në moshën 94 vjeçare.