Foto: KALLXO.com/ 04.02.2020

Bajrami: Do t’i rishqyrtojmë të gjitha vendimet e Qeverisë Haradinaj

Ministrja e re e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami ka paralajmëruar rishqyrtim të të gjitha vendimeve që janë marrë në këtë sektor nga ish-Qeveria Haradinaj.

Ajo ka thënë se gjatë mandatit të saj do të sigurohet pavarësia e të gjitha institucioneve të arsimit.

“Një nga prioritetet është sigurimi i pavarësisë së institucioneve, të gjitha të pavarura dhe e dini se prej qeverisë në dorëheqje Haradinaj kemi pasur vendimmarrje të cilat  dhe do t’i shqyrtojmë të gjitha vendimet që janë marr pas dorëheqjes. Tani e tutje të gjitha bordet qe do të emërohen do të jenë profesionale dhe aspak politike”, tha Bajrami para mediave, pasi mori mandatin nga ish-ministri, Shyqiri Bytyqi.

Bajrami shtoi se gjatë mandatit të saj do të mundohet që të rrit numrin e pjesëmarrjes së fëmijëve në institucionet parashkollore si dhe do ta rishikojnë kurrikulën.

Kur u pyet se gjatë mandatit të saj a do të jenë universitetet publike pa pagesë, ashtu sic ka premtuar partneri i koalicionit, LVV në fushatën parazgjedhore, ajo tha se këtë gjë do ta vendosin pasi të shqyrtohet buxheti.

“Tani jemi në shkurt ende nuk është miratuar buxheti, por ne patjetër duhet të hyjmë dhe ta shikojmë dhe të shohim se cilat janë mundësitë dhe prioritetet. Do të jap përgjigje më vonë për këtë varet prej asaj se cfarë buxheti do të na caktohet si ministri”, tha ministrja e re.

Ndërsa, ajo tha se do ta zbatojë ligjin sa i përket pozitave që do t’i mbajë.

“E them këtu para juve se do ta zbatojë ligjin, atë që e kërkon ligji prej meje atë do ta zbatojë”, ka thënë ministrja Bajrami, e cila është edhe profesor asistente në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Pasi Haradinaj dha dorëheqje, ish-ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi i kishte ndërruar disa anëtarë të Këshilleve Drejtuese të universiteteve publike.

Sot, ish-ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi i ka dorëzuar detyrën ministres së re të këtij dikasteri, Hykmete Bajramit, e cila vjen nga radhët e LDK-së.

Ministrja Bajrami u zotua për përmirësimin e situatës në fushën e arsimit. Një ditë më parë është votuar Qeveria e Kosovës me kryeministër Albin Kurtin.

Ndërkaq, sot gjatë ditës po bëhen pranim-dorëzimet e detyrave nëpër ministri të ndryshme.

Kabineti qeveritar i Albin Kurtit

www.kallxo.com