Gjykata Themelore në Prizren

Vazhdon Gjykimi i Vëllezërve të Akuzuar se Vranë Vëllanë

Trupi gjykues ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për ta hedhur poshtë aktakuzën në rastin ku vëllezërit Shaqir e Hajdin Likaj nga Krajku i Prizrenit akuzohen se kanë vrarë të vëllanë Kujtimin dhe e kanë plagosur djalin e tij Flamurin.

Rasti për të cilin po zhvillohet gjykimi në Gjykatën e Prizrenit ka ndodhur më 31 gusht 2015.

Përveç për vrasje Shaqir dhe Hajdin Likaj akuzohen edhe për mbajtje në pronësi, posedim dhe kontroll të paautorizuar të armëve.

Në këtë proces të pandehur janë edhe Hajdar, Isuf e Shpejtim Likaj, të cilët akuzohen për veprën penale pjesëmarrje në rrahje, dhe Shkëlqim Likaj, për mbajtje në pronësi, posedim dhe kontroll të paautorizuar të armëve.

Në këtë seancë, Bashkim Nevzati, mbrojtësi i të akuzuarit Shaqir Likaj, mbeti pranë pretendimeve si me shkrim, duke propozuar që të akuzuarin para fillimit të shqyrtimit kryesor ta dërgojnë në ekzaminim psikiatrik.

“I propozoj gjykatës që para fillimit të shqyrtimit kryesor të akuzuarin Shaqir Likaj ta dërgon në ekzaminim psikiatrik për të vërtetuar gjendjen psikiko – fizike të tij në momentin kritik, për veprimet e marra”, tha avokati.

Po ashtu, ai propozoi plotësimin edhe të ekspertizës mjeko-ligjore me balistikë, pasi që plagët e marra nga i dëmtuari janë nga pistoleta, por nuk dihet se nga cila, pasi janë përdorur dy pistoleta të njëjta.

Ndërsa, prokurori Sefer Morina i propozoi trupit gjykues që t’i refuzojë kërkesat e mbrojtësve të të akuzuarve si të pabazuara dhe të sjellë aktvendim refuzues.

Kryetari i trupit gjykues Xhevdet Elshani pas marrjes së kërkesave të palëve i refuzoi ato të avokatëve mbrojtës për hedhjen e aktakuzës, pasi sipas tij “kjo Gjykatë ka gjetur se ka dyshim të bazuar mirë që të akuzuarit të kenë kryer këto vepra penale referente me të cilat ngarkohen sipas aktakuzës dhe ka prova të mjaftueshme për këtë nivel të dyshimit”.

Sipas aktakuzës, Shaqir dhe Hajdin Likaj më 31 gusht 2015, rreth orës 14:35, në fshatin Krajk, me dashje direkte dhe me paramendim ndërmarrin veprime me përdorim të armëve të zjarrit, duke e privuar nga jeta vëllain e tyre, tani të ndjerin Kujtim Likaj.

Incidentit tragjik i kishte paraprirë një mosmarrëveshje e mëhershme si dhe konflikti verbal në ditën kritike lidhur me kalimin e automjeteve të dasmorëve nëpër rrugën e tyre të përbashkët.

Në një moment fillon konflikti i armatosur në mes të të akuzuarve dhe të ndjerit, me ç’rast i ndjeri ka shtënë me pistoletë duke e plagosur të akuzuarin Shaqir Likaj, i cili në atë moment ka nxjerrë nga brezi pistoletën dhe ka shtënë në të ndjerin, duke e qëlluar disa herë në trup.

Njëkohësisht edhe i akuzuari Hajdin Likaj ka shtënë në të ndjerin disa herë nga një distancë 3-4 metra.

Nga plagët e marra në këtë rast Kujtim Likaj ka ndërruar jetë.

Po ashtu, i akuzuari Shaqir Likaj me pistoletën e tij ka shtënë edhe në drejtim të të dëmtuarit Flamur Likaj, duke e plagosur.

Kështu, të akuzuarit kanë shkaktuar veprën penale të vrasjes së rëndë dhe veprën penale mbajtja në pronësi, posedim dhe kontroll të paautorizuar të armëve.

Ndërsa të akuzuarit Hajdar, Isuf e Shpejtim Likaj akuzohen për veprën penale pjesëmarrje në rrahje, pasi sipas aktakuzës në ditën kritike me dashje dhe paramendim marrin pjesë në rrahjen dhe përleshjen fizike në mënyrë agresive bashkë me të akuzuarit Shaqir dhe Hajdin Likaj (prindërit e tyre), ku si pasojë ka mbetur i vdekur një person dhe djali i tij ka mbetur i plagosur rëndë, ndërsa i akuzuari Shkëlqim Likaj, akuzohet për veprën penale mbajtje në pronësi, posedim dhe kontroll të paautorizuar të armëve.