Ilustrim, 29.06.2019

Vazhdon debati Nitaj - Mustafa: Prita të ma kuptoni metaforën e vezës

Debati mes deputetit të AAK-së, Muharrem Nitaj dhe liderit të LDK-së, Isa Mustafa në lidhje me shkeljen e Kushtetutës dhe metaforës së vezës ka vazhduar.

Nitaj përmes një postimi në Facebook tha se këtë debat e ka nisur Mustafa dhe i vjen mirë që është përfshirë.

Ai kësaj here iu drejtua me disa pyetje Mustafës.

“Për Ish-kryeministrin i kam disa pyetje: Nëse qenga turp që një deputet ta votojë një ligj i cili mund të rezultoj i papajtueshëm me Kushtetutën, pse nuk qenka turp që një Kryeministër të nënshkruaj një marrëveshje ndërkombëtare e cila nuk qenka në pajtim në 23 nene të saj me frymën e Kushtetutës!? Për mua as njëra as tjetra nuk janë të turpshme, sepse të gjithëdijshëm nuk jemi, por turp është kur këtë nuk e pranon, ose përpiqesh ta minimizosh!”, tha Nitaj.

Nitaj i tha Mustafës se pse nuk e ka përmendur presidentin Hashim Thaçi si shkelës të mundshëm të Kushtetutës.

“E dyta, meqë i paskeshit gjetur të gjithë shkelësit e Kushtetutës; Qeverinë, Parlamentin, deputetët, pse nuk e paskeshit përmendur edhe Presidentin, si shkelës të mundshëm, meqë është filtri i fundit i një ligji para se të hyjë në fuqi!?”, ka shkruar Nitaj.

Në fund ai i tregoi Mustafës arsyet se pse e ka përdorur metaforën me vezë.

“Dhe e fundit, a hiç nuk shihni ngjashmëri me shkeljet që keni bërë vet, dhe me “gverrin” që na e keni lënë me marrëveshjen e Asociacionit, sado që ato janë në proces për t’u korrigjuar pas Kushtetuesës, apo gabimet e të tjerëve janë sa bjeshka e tuajat janë hiç fare.  Prandaj e kam përmendur atë metaforën e pulës së kojshisë që vezën e bën më të madhe, pa as më të voglin kasavet se do të turpërohesha por e pranoj se nuk kam llogaritur se ju krejt këtë debat, do ta shndërronit në luftë pulash e vezësh, ose pse nuk do ta kuptonit metaforën ose pse kështu do ta kishit më të lehtë!”, ka shkruar Nitaj  në fund.

Debati mes Mustafës dhe Nitajt lindi kur kreu i LDK-së Isa Mustafa kishte shkruar një status për vendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me ligjin për delegacionin shtetëror, gjë që bëri që Nitaj të reagoi dhe ta fus një metaforë të vezës në këtë debat.

Nitaj në media i kishte atij thënë se “pula e kojshisë gjithmonë venë e bën më të madhe”.

E për këtë ka reaguar, Mustafa i cili e ka quajtur të turpshme krahasimin e Nitajt të Gjykatës Kushtetuese me vezët.

https://kallxo.com/mustafa-nitajt-kushtetuesja-smbaron-me-veze-por-me-vendime/

.