Mustafa: Shkelësit e Kushtetutës të japin dorëheqje

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka reaguar në lidhje me vendimin e Gykatës Kushtetuese për ekipin negociator me Serbinë.

Mustafa përmes një postimi në Facebook tha se Gjykata Kushtetuese shpalli jokushtetues në tërësinë e tij Ligjin për dialogun si dhe shpalli jokushtetues Ekipin e Dialogut. “Ekipi, pa e pritur hyrjen në fuqi të Ligjit, i cili u kontestua nga LDK dhe VV, ushtroi veprime jokushtetuese në procesin e dialogut me para të Buxhetit. Kryeministri, në mënyrë jokushtetuese, i kishte deleguar përgjegjësitë e tij për dialogun”, thotë Mustafa.

Tutje ai tha se Qeveria shkeli Kushtetutën duke e aprovuar Projektligjin me përmbajtje jokushtetuese të sponzorizuar nga PSD.

“Kuvendi shkeli Kushtetutën duke e miratuar një Ligj jokushtetues, të propozuar nga Qeveria. Janë këto shkelje të Kushtetutës në proporcione gjeometrike nga koalicioni PAN”, tha ai.

Ai madje ka kërkuar edhe dorëheqje nga Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministri, Isa Mustafa.

“Dy presidentë tanë kanë dhënë dorëheqje kur është konstatuar shkelje e Kushtetutës. Tani radhën e ka kjo Qeveri dhe ky Kuvend. Duhet të pajtohemi se nuk lejohet që Kosovën ta drejtojnë shkelësit e Kushtetutës”, tha Mustafa.