Ura e Ibrit Hapet pas 5 Muajsh

Dialogu 20 orësh në Bruksel ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë ka përfunduar me marrëveshjen që ura e Ibrit, e mbyllur tash e 17 vjet për qarkullim, të fillojë të revitalizohet më 14 gusht të këtij viti ndërsa hapja e saj për qarkullim është lënë të bëhet në fillim të vitit të ardhshëm.

Bashkimi Evropian e ka konfirmuar arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet ministers kosovare për dialog, Edita Tahiri dhe shefit të Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Marko Gjuriq.

Sipas Bashkimit Evropian, me fillimin e implementimit të marrëveshjes, kjo urë e cila që nga qershori i vitit 1999 ka qenë simbol i ndarjes etnike në Kosovë, do të bëhet “simbol i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet serbëve, shqiptarëve dhe komuniteteve tjera që jetojnë në Kosovë”.

“Është arritur marrëveshja që të lëshohet leja për ndërtim dhe që revitalizimi i urës së Mitrovicës dhe pjesëve rreth saj të fillojë më 14 gusht. Ura e Mitrovicës do të jetë e hapur për këmbësorë dhe vetura në të dyja drejtimet në harmoni me rekomandimet e vlerësimit teknik dhe dizajnin arkitektural me të cilin palët janë pajtuar në qershor të vitit 2015”, thuhet në deklaratën e BE-së.

Bashkimi Evropian thotë se revitalizimi i urës si dhe i rrugës “Mbreti Petar” do të kontribuojë në lehtësimin e kontakteve ndërmjet gjithë popullatës në Mitrovicën e veriut dhe të Jugut.

Në qershor të vitit të kaluar, palët ishin pajtuar që kjo urë, pas revitalizimit që do t’i bëhej nga BE, të lëshohej për qarkullim në qershor të këtij viti, por mospajtimet për kufijtë administrativë të komunave të Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut kanë bërë që punimet në urë të vonohen.

Qeveria e Kosovës ka konfirmuar marrëveshjen e arritur në Bruksel duke thënë se ajo shpjegon të gjitha hapat praktike dhe afatet deri në përfundimit e procesit të revitalizimit dhe heqjes së barrikadës.

“Heqja e barrikadës dhe hapja e urës për qarkullim të lirë e të plotë do ta bëjë urën sinonim të normalizimit të relacioneve dhe bashkëpunimit në mes të komuniteteve atje pra shqiptarëve, serbëve dhe të tjerëve, më këtë rast Qeveria e Kosovës po e përmbush premtimin ndaj qytetarëve të cilët gjithmonë e dëshiruan këtë urë të jetë e lirë”, thuhet në deklaratën e qeverisë.

Ministria për Dialogun bashkangjitur këtij njoftimi e dërgon për media edhe komunikatën zyrtare të Bashkimit Evropian në gjuhën angleze e cila së shpejti do të dalë edhe në gjuhën shqipe përkthyer zyrtarisht nga Bashkimi Evropian: