Rektorati i Universitetit të Prishtinës | Foto KALLXO.com

UP-ja Nis Përgatitjet për Konferencën Ndërkombëtare

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”,  sot ka hapur thirrjet për pranimin e punimeve shkencore në Konferencën Ndërkombëtare Studentore (UPISC)  për vitin 2018. Ky është edicioni i tretë i radhës i kësaj konference ndërkombëtare.

Lajmi është bërë i ditur nga Zyra për Informim e Universitetit të Prishtinës.

“ UPISC në edicionin e fundit solli studentë nga jo më pak se 35 shtete të botës në kryeqytetin e Kosovës, duke u bërë kështu njëra ndër konferencat ndërkombëtare më të suksesshme, organizuar nga studentët e UPHP-së”, thuhet në njoftimin e UP-së.

Tema e kësaj konference do të jetë “ Edukimi në Ndërmarrësi në shekullin e 21-të” ndërsa afati për të aplikuar është deri më 15 prill 2018.

“Punimet e konferencës do të publikohen në librin e saj, i cili përmban kodin ISBN. Po ashtu, konferenca ka Këshillin Shkencor në të cilin bëjnë pjesë profesorë vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët janë kontribuuesit kryesorë në cilësinë e lartë shkencore të UPISC-it”, thuhet në njoftimin e UP-së.