Foto: KALLXO.com

UNICEF fton adoleshentët e Kosovës të angazhohen në programet e tyre

Zyra e Fondit për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara-UNICEF në Kosovë, ka mbajtur ngjarjen vjetore “Activate Talks” në Amfiteatrin e Bibliotekës së Universitetit të Prishtinës.

Në edicionin e katërt të këtij organizimi, u mblodhën të rinjtë nga Kosova, ekspertë, përfaqësues të institucioneve dhe inovatorë të rinj, për të diskutuar dhe treguar përvojat e tyre në ndryshimin e shoqërisë për të mirë.

Shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Murat Sahin, tha se kjo është një kampanjë vjetore për të festuar arritjet e të rinjve në programet e fondit të tyre.

“Të rinjtë mund të rrisin zhvillimin ekonomik dhe e tëra kjo bëhet me arsim cilësor. Vetëm 20 përqind e fëmijëve janë në sistemin parashkollor në Kosovë. Arritjet e shekullit 21 janë vendimtare për të ardhmen. Shkollimi duhet të vazhdojë për më shumë mundësi akademike dhe jo akademike. Programi ynë ka arritur te 7 mijë fëmijë në Kosovë”, tha ai.

Ndërkaq, Hana Sahatqija, udhëheqëse e ADAP-it në UNICEF tha se në këtë ngjarje çdo vit rritet numri i të rinjve pjesëmarrës.

“Ne kemi qejf që secili adoleshent në Kosovë të jetë pjesë e programit tonë ‘Up Shift’, në mënyrë që të jenë të përgatitur për tregun e punës. ‘Up Shift 3.0’ ka një numër risish që jemi duke i punuar për momentin. Secili i ri i cili kalon përmes kësaj do të jetë i ekpozuar në një skemë të monitorimit dhe do ta kenë mbështetjen për gjithë rrugëtimin e saj/tij”, theksoi ajo.

Në këtë ngjarje, shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova theksoi se për të çdoherë është inspiruese që të jetë para të rinjve.

“Të rinjtë do ta ndryshojnë Kosovën. Unë vij nga Bullgaria dhe kur isha 14 vjeçare atje ishte shumë më ndryshe se tash. Atëherë nuk kishe Organizata Joqeveritare, nuk kishte liri të shprehjes, gjithçka ka qenë e planifikuar. Ne udhëtonim vetëm te vendet e veçanta me një ide. Revolucioni atje u bë nga nxënësit studentët, po binte perdja e hekurt. Atëherë isha në vit të parë në fakultet”, tha ajo.

Apostolova shtoi se BE-ja i ka prioritet reformat në arsimin e Kosovës.

“Ju tashmë jeni Evropë së shpejti do të garoni me ta. BE-ja është një mike e Kosovës dhe gjithherë do të jetë kështu. Arsimi do të jetë prioritet sepse jeni një popullatë e re dhe meritoni të keni arsim cilësor. Prioritet tjetër është sundimi i ligjit. Gjithashtu duam të shohim një Kosovë të qëndrueshme në aspektin mjedisor. Ti ruani pyjet malet. Kushtoni vëmendje kësaj”, theksoi ajo.

Në këtë ngjarje morën pjesë edhe ambasadorët e Austrisë dhe Suedisë në Kosovë si dhe përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Kulturës.

Pjesë e organizimit për pak minuta u bë edhe këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Rita Ora e cila po qëndron në Kosovë për një mision humanitar me UNICEF-in.

Ora tha se gjatë këtyre dy ditëve sa po qëndron në Kosovë është njoftuar për së afërmi me familjet kosovare dhe të rinjtë e vendit.

“Jam që dy ditë në Kosovë, kemi bërë një rrugëtim të mrekullueshëm me UNICEF. Kam kaluar një kohë të mrekullueshme për rininë e Kosovës, kam mësuar shumë”, tha ajo në këtë ngjarje. Jam njoftuar për së afërmi me jetën e të rinjve dhe familjeve në Kosovë. Jam shumë e kënaqur me punën e “Up Shift” të UNICEF-it që po bëhet këtu. Jam shumë e nderuar që jam këtu dhe që kam takuar kaq shumë heronj. Jam shumë krenare që jam nga këtu”, shtoi Rita Ora.

https://kallxo.com/fjalet-e-rita-ores-kam-takuar-shume-heronj/

.