Ujësjellësi ‘Prishtina’ njofton borxhlinjtë se do t`i shkyçë individualisht nga shërbimet

Kompania Rajonale e Ujësjellësit Prishtina, ka bërë një njoftim për konsumatorët në zonën e shërbimit, Prishtinë, Fushë Kosovë, Lipjan, Podujevë, Obiliq, Shtime, Drenas dhe Graçanicë se aksioni për shkyçjen individuale të konsumatorëve borxhlinj nga shërbimet e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit për shkak të mos pagesave ndaj shërbimeve të ujit dhe kanalizimit, është duke vazhduar me intensitet të lartë si në qendra të qyteteve ashtu edhe në fshatra.

Sipas ujësjellësit ky aksion ka filluar më 1 shkurt 2019 dhe si i tillë do të vazhdojë deri në dhjetor 2019.

“Konsumatorët kanë obligim ligjor që të paguajnë faturat si dhe borxhin e akumuluar të ujit të shpenzuar. Andaj, nëse nuk reflektojnë brenda muajit, ne jemi të detyruar të ndërmarrim masa ndëshkuese ligjore”, thuhet në njoftim.

KRU ”Prishtina” falënderon të gjithë konsumatorët për pagesa të shërbimeve të ujësjellësit dhe kanalizimit dhe fton urgjentisht secilin prej tyre, që të jenë sa më të rregullt në pagesa.

KRU “Prishtina”, ka njoftuar se iu ka ofruar bashkëpunim dhe lehtësira të ndryshme për pagesën e borxheve të mëdha të akumuluara, mirëpo shumë nga konsumatorëve kanë refuzuar bashkëpunimin.