Skenë nga filmi “Rrugës’. Foto: Facebook/QKK.

Kosova synon "Palmën e Artë" në Festivalin e Kanës me filmin "Rrugës"

Filmi i shkurtër “Rrugës” i regjisorit Samir Karahoda do të garojë për çmimin “Palma e Artë” në edicionin e 77-të të Festivalit të Filmit në Kanë (Cannes) të Francës.

Edicioni i sivjetmë i Festivalit të Kanës ka nisur të martën, më 14.05.2024, në të cilin po marrin pjesë yjet e kinematografisë botërore.

Sipas njoftimit të Qendrës Kinematografike, filmi “Rrugës” do të shfaqet më 24.05.2024, në  “Debussy Theater” në ora 11.00, në Kanë, që do të jetë edhe premierë botërore e filmit. Ndërsa, reprizën do ta këtë një ditë më vonë, më 25.05.2024.

Sipas QKK-së, filma “Rrugës”, është në mes 11 filmave që këtë vit garojnë për “Palmën e Artë” në kategorinë e filmave të shkurtër.

Ceremonia e ndarjes së çmimit “Palma e Artë” për film të shkurtër, në kuadër të edicionit të 77-të të Festivalit të Kanës mbahet më 25 maj 2024.

Filmi “Rrugës”  sjell tregimin e një babai dhe djalit të tij në rrugën e tyre për në aeroport për të marrë një dhuratë të ardhur nga jashtë, e dërguar nga kumbari i djalit.

“Mes pengesave burokratike, me pak ose aspak shpresë për ndryshime reale politike dhe sociale në vend, baba dhe i biri gjejnë ngushëllim dhe forcë në optimizmin e tyre të përbashkët për të ardhmen.”- thuhet në njoftim e publikuar në ueb-faqen e Festivalit të Kanës.

Në rolet kryesore në filmin “Rrugës” paraqiten Ylber Mehmeti dhe Miron Karahoda, cili së bashku me regjisorin e filmit Samir Karahodën është edhe skenarist i filmit.

Kjo është hera e dytë që një film i regjisorit Karahoda garon për “Palmën e Artë” të Festivalit të Kanës, pas filmit “Pa Vend” që garoi për këtë çmim në vitin 2021.

Posteri i filmit ‘Rrugës’. Foto: Facebook/QKK.