Donald Trump, Foto: Forumi Ekonomik Botëror

Trump në Davos Sulmon ‘Grabitqarët’ e Tregtisë së Lirë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në fjalimin e tij në ditën e fundit të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës ka thënë se nuk mund të ketë tregti të lirë dhe të hapur nëse disa vende shfrytëzojnë sistemin në kurriz të të tjerëve.

“Ne mbështesim tregtinë e lirë, por ajo duhet të jetë e drejtë dhe reciproke. Sepse në fund, tregtia e padrejtë na minon të gjithëve. Shtetet e Bashkuara nuk do të bëjnë një sy të verbër ndaj praktikave të padrejta ekonomike, duke përfshirë vjedhjen masive të pronës intelektuale, subvencionet industriale dhe planifikimin ekonomik të shtyrë nga shteti. Këto dhe sjellje të tjera grabitqare po shtrembërojnë tregjet globale dhe po dëmtojnë bizneset dhe punëtorët, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por në të gjithë globin”, ka theksuar Trump.

Ai më tej ka shtuar se ashtu siç presim që udhëheqësit e vendeve të tjera të mbrojnë interesat e tyre, si President i Shteteve të Bashkuara, ai gjithmonë do të mbrojë interesat e SHBA-së, kompanitë dhe punëtorët e saj.

“Ne do të zbatojmë ligjet tona tregtare dhe do të rivendosim integritetin në sistemin tregtar. Vetëm duke insistuar në tregtinë e drejtë dhe reciproke mund të krijojmë një sistem që punon jo vetëm për Shtetet e Bashkuara por për të gjitha kombet. Siç kam thënë, Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të negociojnë marrëveshje reciproke të tregtisë dypalëshe me të gjitha vendet”, shtoi Trump.

Presidenti amerikan në Davos ka thënë se kur rritet ShBA rritet edhe bota.

“Unë besoj te Amerika. Si President i Shteteve të Bashkuara, gjithmonë do ta vë Amerikën të parën. Ashtu si udhëheqësit e vendeve të tjera duhet të vënë vendet e tyre të parë. Por Amerika e para nuk do të thotë Amerika e vetme”, ka përfunduar Trump.

Fjalimin e plotë të presidentit të SHBA-së, Donald Trump mund ta lexoni këtu.