Mbledhja e Komisionit për Komunitete | Foto: KALLXO.com

Tre ministra në Komisionin për Komunitete

Anëtarët e Komisionit për Komunitete vendosën sot që për disa çështje dhe ndaras t’i ftojnë tre ministra për të raportuar.

Në Komisionin për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, pritet të ftohen ministrat e Punëve të Brendshme, Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Komuniteteve e Kthimit.

Ftesën e ministrave të Punëve të Brendshme dhe Punës e Mirëqenies Sociale e kërkoi deputeti Veton Berisha.

Berisha, ardhjen e ministrit Bejtush Gashi në komision, e kërkoi në lidhje me konkursin në Policinë e Kosovës, të cilin ai e konsideroi diskriminues për komunitetet egjiptiane dhe ashkalinje.

http://kallxo.com/deputeti-reagon-ndaj-konkursit-diskriminues-te-policise/

Ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale Skender Reçica, Berisha e propozoi të ftohet për ndarjen e mjeteve financiare për komunitetet joshumicë në vlerën 1.8 milionë euro.

“Ministri të vijë të tregojë se cila është procedura e implementimit të atij neni”, tha Berisha.

Albert Kinolli nga grupi 6+ sqaroi pse janë ndarë këto mjete.

“Ky fond është nda për komunitetet joserbe. Kërkesa është bërë prej 6+. Kemi kërku buxhet shtesë për ndërtimin e shtëpive. Unë nuk shoh këtu shkelje të Kushtetutës”, tha Kinolli.

Por anëtari i komisionit Kujtim Shala tha se në këtë ndarje mund të ketë shkelje të Kushtetutës.

“Ministri duhet të vijë, të debatojë, ne po diskutojmë për implementimin e atij amendamenti. Nëse komunitetet ndahen, përjashtohet ndonjë komunitet, ka bazë për cenim të Kushtetutës”, tha Shala.

Anëtarja e komisionit Duda Balje propozoi që bashkë me ministrin Reçica, të vijë edhë Ministri për Komunitete dhe Kthim.

Kryetari i komisionit Igor Simiq pastaj i nxori në votim propozimet për ftesat e ministrave. Propozimet pastaj u miratuan.

Në komision u miratua me vota unanime edhe Projektligji për Mbrojtjen e Konsumatorit me amendamente të Komisionit për Zhvillim Ekonomik.

Por në komision nuk raportoi komisioneri për gjuhët Sllavisha Mlladenoviq rreth sfidave të zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, pasi nuk mundi të vijë.

Raportimi i Mlladenoviqit u shty për një mbledhje tjetër.