Sfidat e sistemit gjyqësor me përkthimin e dokumenteve për komunitetet jo shumicë

 

Në Kosovë pavarësisht se ekziston Ligji për përdorimin e gjuhëve zyrtare ende ka sfida në respektimin total të tij për arsye të ndryshme.

Në sistemin gjyqësor shpesh herë ndodh që seancat gjyqësore të shtyhen për një datë tjerë kur palët në procedurë janë të komuniteteve joshumicë për shkak të mungesës së përkthyesve.

Gjykatat në Gjilan e Mitrovicë, dy qytete në të cilat jetojnë komuniteti joshumicë, sipas të dhënave të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kanë nevoja të mëdha për rritjen e numrit të përkthyesve për shkak të lëndëve të shumta.

“Aktualisht sistemi gjyqësor i ka 60 përkthyes komplet, në proces janë edhe dy pozita. Varësisht nga buxheti vitet e ardhshme ka me pas rritje të numrit të përkthyesve. Numri aktual nuk është i mjaftueshëm, sidomos regjionet në të cilat nevojat janë më të mëdha, në Mitrovicë i kemi 10 përkthyes, Gjilani ka nevojë i ka 4 përkthyes. Ka me pas rritje, kemi kërkesa nga gjykatat dhe një ndër prioritetet e KGJK-së është edhe rritja e numrit të përkthyesve”, thotë Shkelzen Maliqi nga KGJK.

Përveç institucioneve të drejtësisë që vërejnë mungesën e respektimit të ligjit për dygjuhësinë, edhe organizata të ndryshme që monitorojnë sistemin kanë vërejtur se mungon përkthimi i lëndëve.

Aktgjykimet e publikuara vetëm në gjuhën shqipe janë problem i palëve të involvuara në procedura të ndryshme gjyqësore e që i përkasin komunitetit joshumicë.

“Gjatë periudhës janar- dhjetor 2020, pjesa më e madhe e aktgjykimeve të publikuara në ueb faqet e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, 93 përqind kanë qenë në gjuhën shqipe e 7 përqind në gjuhën serbe”, thotë Albana Hasani nga Lëvizja Fol.

Një situatë e tillë është përshkruar edhe në raportet e monitorimit të Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese- BIRN.

“Këtu shqetësues është numri i aktgjykimeve në gjuhën serbe, nëse hyjmë në portalin e gjyqësorit shihet një numër i vogël i aktgjykimeve që janë të përkthyera në gjuhën serbe. Kjo ndikon negativisht për shkak se, është një numër i madh i komuniteteve të tjera që përdorin gjuhën serbe dhe nuk e kanë mundësinë që të informohen në gjuhën që ata e kuptojnë”, tregon Kastriot Berisha nga BIRN.

Aca Mitiç, nga Organizata jo- Qeveritare, “ADAC”, thotë se në Mitrovicën e Veriut në prokurori e gjykatë situata është e kënaqshme.

“Situata është e kënaqshme në Mitrovicën e Veriut. Ka mbështetje sa i përket përkthimit, por sa i përket kontekstit të përgjithshëm në territorin e Kosovës, ka probleme me këtë. U takon shoqërisë civile të japin rekomandime dhe të ndihmojnë në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare lidhur me atë se si duhet zgjidhur dhe tejkaluar ky problem”, thotë Mitiç.

Arbër Jashari, ish-zëdhënës në Gjykatën e Apelit tregon sfidën e përkthimit dhe publikimeve në faqen zyrtare të gjykatave në Kosovë.

“Parimisht ne përkthejmë aktgjykimet ku palët janë të komunitetit serb. Të gjithë gjyqtarët nuk i publikojnë ndoshta të gjitha në portal. Nuk qëndrojmë mirë ndoshta në aspektin kur kemi të bëjmë me palë të treta për shembull me monitorues, qytetarë, sepse jemi mbrapa pak me ueb portal me shenja me gjëra të tjera që parasheh ligji”, thotë Jashari.

Berisha nga BIRN tregon për rastet kur janë shtyrë seancat gjyqësore për shkak të mungesës së përkthyesit.

“Nuk janë të rralla rastet kur edhe seancat gjyqësore shtyhen për shkak të përkthimit sepse kemi gjykata që kanë vetëm ë nga një përkthyes dhe si rezultat kjo  mungesë ndikon në shtyrjen e seancave dhe zhegitjen e rasteve. Rritja e numrit të përkthyesve është e nevojshme”, thotë Kastriot Berisha nga BIRN.

Edhe avokatja Jovana Filipoviq, tregon për problemin e njëjtë.

“Në të gjitha procedurat në të cilat së paku njëra palë është me kombësi serbe, ose nga cilido komunitet joshumicë, është e domosdoshme që seanca të mbahet në gjuhën amtare të palës, ose nëse avokati i palës është pjesëtar i komunitetit joshumicë, në këtë rast i komunitetit serb përkthyesi është i detyrueshëm. Për këto arsye, shpesh ndodhin shtyrjet e seancave, pasi gjykatat nuk kanë numër të mjaftueshëm të përkthyesve”, tregon avokatja Filipoviq.

Avokatja Filipoviq shton se gjykata duhet të dorëzoj shkresat e lëndës në gjuhën serbe në rast se pala e përfshirë i përket komunitetit serb.

“Në këtë humbet kohë pra derisa ne dërgojmë kërkesë në gjykatë, derisa gjykata të caktoj përkthimin mund të kalojnë muaj, pastaj vijmë te një mospërputhje dhe ndodhin zvarritjet në punë e në këto lëndë”, shton ajo.

Gjyqtari në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Jovica Mitroviq, thotë se duhet të respektohet ligji për palët në procedurë.

“Ky problem mund të zgjidhet në dy mënyra. Njëra nga mënyrat është rritja e numrit të përkthyesve, ndërsa mënyra e dytë është zbatimi i mirëfilltë i Ligjit për gjuhën dhe të alfabetit. Ligji për gjuhën dhe alfabetin nënkupton dy të drejta të palës, të drejtën e palës për të zhvilluar procedurën në gjuhën dhe alfabetin e vet dhe të drejtën e palës për të përdorur gjuhën dhe alfabetin e vet në procedurë”, thotë Mitroviq.

Ai shton se nëse një procedurë gjyqësore zhvillohet ndaj një qytetari që gjuhë amtare ka gjuhën shqipe, procedura duhet të zhvillohet në gjuhën shqipe, ngjashëm veprohet edhe për banorët serb, procedura duhet të zhvillohet në gjuhën serbe.