Banorët e Thethit duke protestuar kundër bllokimit të rrugës. Foto: E.Nabolli

Thethi i Izoluar nga Bora

Familja e Fatmir Berishtës ka ngritur një biznes familjar prej disa vitesh në zonën turistike të Thethit, por bllokimi i rrugës e bën punën të papërballueshme gjatë stinës së dimrit.

Pasi ka bërë 60 kilometra rrugë nga Shkodra deri në Qafë-Thore, i riu u detyrua të kthehej mbrapsht pasi rruga vazhdon të mbetet e pakalueshme nga bora.

“Kjo rrugë po falimenton bizneset”, thotë Fatmiri për BIRN.

“Kemi investuar miliona lekë në Theth për të punuar 12 muajt e vitit, por me pjesën e turizmit ne punojmë vetëm 3 muaj, ndryshe prej vendeve përreth të cilët gjatë dimrit presin mijëra turistë”, shton ai.

Bizneset familjare janë e vetmja mundësi të ardhurash për banorët e Alpeve shqiptare. Në Theth dhe në rrethinat e tij, numri i shtëpive të ndërtuara me gur ose dru për të pritur turistë ka arritur tashmë në 40 dhe kërkesat për turizëm kanë ardhur në rritje. Megjithatë, stina e dimrit e izolon për muaj të tërë Thethin nga pjesa tjetër e vendit, duke dëmtuar familjet që kanë investuar në turizmin malor.

Ndërkohë që zonat e tjera të vendit nuk kanë më probleme me qarkullimin, në rrugën nacionale Bogë-Theth trashësia e borës arrin mbi 50 cm, duke izoluar një prej resurseve me të rëndësishme për zhvillimin e turizmit malor. Situata mbetet e njëjtë edhe me ndërtimin e rrugës së re, ç’ka ka bërë që banorëve t’u soset durimi.

Njësoj si familja Berishta, edhe Nikë Guri jeton me turizëm dhe ka investuar rreth 30 milionë lekë të reja për ndërtimin e bujtinës së re dhe një restoranti për të pritur turistët vendas dhe të huaj.

“Thethi është e vetmja zonë në Shqipëri që është e bllokuar nga bora dhe askush nuk mban pergjegjësi se pse kjo zonë është në këtë situatë, qoftë nga pushteti lokal apo ai qëndror,” thotë i revoltuar ai.

Ankesat e vazhdueshme të sipërmarrësve të vegjël si Nikë Guri kanë rënë në vesh të shurdhër prej vitesh, por banorët e Thethit kanë vendosur të mos tolerojnë më. Ata paralajmërojnë se do të bojkotojnë të gjithë zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit me shpresën se politika lokale apo ajo qendrore do t’i kthejë sytë nga ky problem i mbartur prej vitesh.

Gjatë muajve të dimrit, rreth 25 familje qëndrojnë në Theth, ndërsa të tjerët zhvendosen në zonat përreth Shkodrës apo edhe në Tiranë për shkak të izolimit. Pavlin Polia, njëri prej banorëve që nuk e braktis Thethin në 12 muajt e vitit ankohet se kjo papërgjegjshmëri nuk mund të tolerohet më. Ai shpjegon se kjo situatë nuk dëmton vetëm bizneset familjare, por të gjithë perspektivën turistike të parkut kombëtar të Thethit.

“Çdo ditë ka kërkesa nga agjencitë e huaja për akomodim në Theth, mirëpo çdo ditë refuzohen nga banorët vendas për shkak të rrugës së bllokuar. Kjo situatë po kthehet në një anti-reklamë për Thethin,” përfundon Polia.

http://kallxo.com/shqiperi-akuza-per-kompanite-e-mirembajtjes-se-rrugeve/

http://kallxo.com/shtegu-valbone-theth-fotogaleri/