Nis realizmi i projektit turistik për rajonin e Mitrovicës
Nën kujdesin e “Mitrovica Guide” ka nisur realizimi i projektit turistik të turizmit në rajonin e Mitrovicës, “Promovimi i Turizmit në Rajonin e Mitrovicës – Visit Mitrovica”
Ky projekt ka për qëllim promovimin e turizmit në rajonin e Mitrovicës, përmes promovimit të ofertës dhe produkteve promovuese turistike dhe brendimin e ofertës turistike me emrin “Visit Mitrovica”.
“Me këtë, synohet promovimi i pakove turistike për të tërhequr një numër sa më të madh vizitorësh në rajonin e Mitrovicës. Këta vizitorë do të njihen me trashëgiminë kulturore dhe natyrore të këtij rajoni, si dhe me atraksionet turistike në zonën e Shalës së Bajgores”- thuhet në njoftimin e “Mitrovica Guide”.
Po sipas njoftimit, në kuadër të këtij projekti, “Mitrovica Guide” do të krijojë një video promovuese për qytetin e Mitrovicës me titullin “Visit Mitrovica”.
Një përbërës tjetër i projektit përfshin një analizë të situatës aktuale të turizmit në rajonin e Mitrovicës dhe përpjekjet për të identifikuar zona të reja arkeologjike në zonën e Shalës së Bajgorës.
“’Udhërrëfyesi i Mitrovicës’ do të ofrojë informacione të hollësishme për historinë e qytetit, kulturën, atraksionet turistike, muzetë, galeritë, monumentet, si dhe informacione të tjera të rëndësishme, opsionet e transportit dhe akomodimit për vizitorët. Kjo nismë do të ndihmojë në stimulimin e ekonomisë lokale në rajonin e Mitrovicës”- thuhet në njoftim.
Po sipas njoftimit, “Mitrovica Guide” edhe përmes këtij projekti do të vazhdojë të rris nivelin e promovimit të trashëgimisë kulturore, promovimin e potencialeve për turizëm si dhe promovimin e diversitetit kulturor në rajonin e Mitrovicës, me qëllim të përmirësimit të imazhit të Mitrovicës në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Ky projekt është përkrahur nga Drejtoria për Ekonomi, Zhvillim, Turizëm dhe Integrime Evropiane, Komuna e Mitrovicës.