Theret me thikë një nxënës në Fushë Kosovë, arrestohet i mituri

Një nxënës 17 vjeçar është ther me thikë mëngjesin e sotëm në rrugën “Nëna Terezë”, në Fushë-Kosovë, afër një shkolle.

Policia ka njoftuar se me të marrë informacioni, ka dalë në vendin ku ka ndodhur ngjarja.

“Me të dalë në vendin e ngjarjes policia ka konstatuar se ka të bëjë me një rast të therjes me thikë  ku viktima V. A, 17 vjeçar,  i cili ka  marrë plagë nga arma e ftohët dhe i njëjti menjëherë është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor”, njofton policia.

Tutje, në njoftim thuhet se në lidhje me këtë rast, policia ka arritur ta identifikojë dhe ta arrestojë personin e dyshuar A. A,  17 vjeçar, për të cilin dyshohet me bazë të jetë i përfshirë në rastin në fjalë.

“Mbështetur në rezultatet e para të punës policore hetuesit kanë ngritur versionin e hetimit se ngjarja është paraprirë nga një mosmarrëveshje në mes të dyja palëve. Ndaj të dyshuarit pas marrjes së autorizimit nga ana e  Prokurorit të shtetit, policia ka shqiptuar masën e arrestit policor për ta dërguar më pas në qendrën e mbajtjes”, thuhet në njoftimin e policisë.