(VIDEO) Arti i botës virtuale, profesion i 17 vjeçarit nga Lipjani

I ka vetëm 17 vjet, por ka tre vite që ushtron profesionin e dizajnerit grafik si autodidakt.

Lorik Dulla, nxënës i klasës së njëmbëdhjetë në gjimnazin “Ulpiana” në Lipjan që nga mosha 11 vjeçare ka filluar ta eksploroj artin e botës virtuale përmes krijimit të dizajneve minimalistike.

 

Ai tani punon në një produksion të xhirimeve dhe fotografive profesionale në Lipjan.

“Me dizajn ia kam filluar prej dëshirës dhe duke e parë që në Kosovë nuk ka pas shumë dizajnera në kohën kur ia kam nis dhe që stili im nuk është vlerësuar shumë se janë mësuar me një stil më ndryshe” tha Dulla.

Dizajneri i ri tha se në Kosovë nuk ka pasur shumë oferta për dizajnin e tij dhe se këtë lloj arti ka filluar ta zgjerojë për në tregun botëror.

“Punimet më shumë i bëj minimalistike se janë më shumë të mira për sy dhe i bëj ngjyrat vibrante që bien në sy më shumë” tregoi Dulla.

Kohëve të fundit, njëri nga dizajnet e Lorik Dullës i punuar për një kompani kosovare është shpërndarë në një nga mediat më të mëdha të dizajnit grafik në botë i quajtur Logo Inspirations.

“Me kalimin e kohës kam filluar të interesohem edhe në tregun botëror ku edhe e kam ndjekur këtë faqen Logo Inspirations. Pastaj jam bërë pjesë edhe e një grupi në Facebook ku fatmirësisht ka qenë kanë pjesë edhe një admin i faqes. Jam prezantuar si dizajner në atë grup dhe kam shpërndarë një dizajn e pastaj kam rënë në kontakt me ta. Pastaj e kanë zgjedh një prej dizajnëve të mija dhe e kanë shpërndarë” rrëfeu 17 vjeçari.

Dulla tha se pas publikimit të dizajnit të tij ata i kanë japur këshilla më të avancuara ku më pas ka realizuar një punim duke marrë për bazë mësimet nga ata.

Dizajnet grafike të punuara nga 17 vjeçari veçohen nga përdorimi i nuancave dhe format minimale të cilat janë më të kërkuara në tregun botëror, ku edhe ai e ka synimin për të ardhmen.

“Qëllimi im është që ta mbërrij tregun botëror ku edhe fitimet më të mëdha janë atje se vlerësohen më shumë dhe besoj që me eksperiencë mundem me arrit”, thotë ai.