Presidenti Hashim Thaçi në mesin e drejtuesve të institucioneve të drejtësisë - Foto: Presidenca

Thaçi: Viktimat e Dhunës Kanë të Drejtë për Kompensim

Në konferencën “Drejtësi dhe rimëkëmbje për viktimat”, të cilën e ka organizuar Prokuroria e Shtetit, presidenti Hashim Thaçi ka kërkuar angazhim më të madh për mbrojtjen dhe informimin e viktimave të dhunës për të drejtën në kompensim, njofton Zyra për Informim e Presidencës.

Në kuadër të masave që janë ndërmarrë për ndërtimin e një shteti të dinjitetshëm, Thaçi ka thënë se është edhe nxjerrja e Ligjit për Kompensimin e Viktimave të Krimit dhe më pas edhe krijimi i mekanizmave përkatës që janë të nevojshëm për zbatimin e këtij ligji.

Presidenti u bëri thirrje autoriteteve kompetente të sigurojnë që viktimat e krimit të trajtohen me profesionalizëm, duke respektuar të drejtën në siguri, dinjitet, jetën private e familjare të tyre dhe duke njohur ndikimin negativ të krimit në viktimat e krimit.

Po ashtu, ai i ka ftuar të gjitha institucionet relevante që të bëjnë edhe më shumë për informimin e qytetarëve për të drejtën e tyre në kompensim.

“Ministria e Drejtësisë, institucionet shëndetësore dhe sociale, policia, prokuroria dhe gjykatat duhet të punojnë më shumë që këtë të drejtë ta njohin sa më shumë qytetarët dhe të bëjnë fushata vetëdijesimi dhe forma tjera të informimit publik, ku qytetarët do të kenë në dispozicion informatat e nevojshme lidhur me procedurat për realizimin e të drejtës për kompensim”, ka thënë ai.

Duke i kujtuar dhe mbrojtur, presidenti Thaçi ka thënë se ndihmojmë viktimat e krimit dhe si rrjedhojë duke krijuar dhe funksionalizuar të drejtën e kompensimit financiar të viktimave të veprave të dhunshme penale dhe të vartësve të tyre, do të ndihmojmë që Kosova të ndërtohet si shtet, ku dinjiteti i njeriut është vlerë e pacenueshme dhe është bazë e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Pjesë e konferencës “Drejtësi dhe rimëkëmbje për viktimat”, e cila sivjet mban sloganin “1 javë vetëdijesim, 365 ditë shërbim”, ishin edhe ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, Prokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ambasadori i ShBA-së, Greg Delawie, si dhe përfaqësues të shumtë të institucioneve të drejtësisë nga niveli qendror dhe lokal.