Hashim Thaçi - Foto: KALLXO.com

Thaçi pret se do të arrijë njohjen e Kosovës nga Serbia

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u shpreh i bindur lidhur me rezultatin final të fazës së fundit të dialogut Kosovë- Serbi ku po bisedojnë presidentët e dy vendeve.

Ai pas takimit fillestar që pati me Aleksandër Vuçiq, sot para mediave kosovare tha se një marrëveshje finale pas këtij dialogu duhet  të ketë rezultat njohjen reciproke të dy vendeve.

“Tani për tani është arritur vetëm korniza e marrëveshjes. Ajo që dihet është se marrëveshja do të jetë ligjërisht dhe ndërkombëtarisht obligues për të gjitha palët. Marrëshja do të dërgohet për ratifikim në Kuvendin e Kosovës. Në fund të procesit duhet të ndodhë njohja reciproke, përndrushe këto negociata do të ishin krejt të pakuptimta”, tha Thaçi.

Ai po ashtu  bëri thirrje për unitet vendor të partive politike lidhur me këtë dialog duke premtuar po ashtu transparencë të plotë.

“Motiv për të dialogun mbetet dëshira që qytetarëve tu ofrojmë paqe dhe të ardhme të sigurtë. Në javët dhe muajt e ardhshëm do të diskutohet substanca e marrëveshjes përfundimtare. Është jashtëzakonisht inkurajues fakti që partitë politike janë duke diskutuar Të gjitha partitë janë për dialogun dhe do të jetë një periudhë që duhet të gjithë të marrim përgjegjësitë. Vulën përfundimtare do ta jep Kuvendi”, tha Thaçi.